Ndihmojeni!

Nga Bilbo
Ndihmojeni!

Kryeministri Rama hapi edhe në Stamboll një ekspozitë me vizatimet e tij me ngjyra të ndezura, shoqëruar këtë herë edhe me një katalog e drita llamburitëse.

Pastaj u mburr me këtë “sukses” të ri në faqen e tij në Facebook, ndërsa 250 mijë shqiptarë kanë bërë hapa konkretë për të ikur nga Shqipëria; ndërsa 2,6 milionë të tjerë ndihen të pasigurtë për të nesërmen në vend; ndërsa të gjithë ata do vazhdojnë të ndeshen me rritjen e taksave aq të sigurta sa edhe mohimi i vazhdueshëm i qeverisë; ndërsa mijra prej tyre humbasin çdo muaj punën që i mban gjallë; ndërsa ndërtuesit kërkojnë të dëshpëruar të gjejnë dikë që të blejë apartamentet e mbetura bosh të ndërtuara më së shumti me lejet e tij të ndërtimit; ndërsa bankat kërkojnë të mbledhin huatë e mëdha të dhëna klientëve të tij; ndërsa në gjithë vendin tabelat “jepet me qera” po zëvendësohen nga tabelat “shitet”; ndërsa fshatarët e Korçës prapë kërkojnë dikë për t’i shitur mollët e tyre; ndërsa shkollat shqiptare u kërkojnë prindërve para për të paguar rojet; ndërsa një 10 vjeçar pret me shpresë që qytetarët e zakonshëm të mbledhin edhe 60 mijë euro të tjera për t’i shpëtuar jetën; ndërsa një parlament i populluar me kriminelë të përzgjedhur prej tij diskuton mbi dekriminalizimin.

Ndërsa vendi çdo ditë e më shumë shuhet, ai ndizet, në vanitetin e tij të pafund, në egon e tij të papërmbajtshme dhe, menjëherë pasi tentoi të sanksiononte me ligj burgosjen e atyre që do guxonin ta kritikonin, vendosi t’i dhurojë Shqipërisë një moment të gëzimit “të përbashkët”… duke publikuar një foto llahtarisht egocentrike me emrin e tij që llamburis dhe me atë vetë që ngjit shkallët sikur të ishte duke u ngjitur drejt lavdisë së përjetëshme.

Në foto nuk duket, por ajo shkalla pa mbajtëse anash përfundon në boshllëk, në greminë, në fund të së cilës mund të ribashkohet me popullin e tij, për të cilin është kujdesur dhe e ka dashur aq shumë sa dëshiron ta përplasë në humnerën e tij.

Ndihmojeni, se ka nevojë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>