Ish-kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, Oliver Derkovski po hetohet penalisht nga prokuroria e vendit.
Derkovski, caktuar nga partia VMRO-DPMNE, akuzohet për shpërdorim detyre së bashku me 4 persona të tjerë.
Sipas një raportimi nga Alsat, ata rrezikojnë deri në 5 vjet burg sipas legjislacionit vendas.
Në zgjedhjet e parakohëshme të vitit të kaluar, mendohet se ata i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej një milion e treqind mijë denarë.
Derkovski ka thyer ligjin vendas mbi vlerësimin e ofertuesve në prokurime, duke anulluar një prokurim për shkak se kompania DUNA nuk plotësoi në kohë dokumentacionin dhe kriterin për software-in zgjedhor.
Më pas, ai ka vendosur të zhvillojë procedurë me negocim të drejtëpërdrejtë dhe me kritere të reduktuara.
“Pas anulimit të procedurës, i pandehuri i parë, në kundërshtim me mendimin e Byrosë së Prokurimeve Publike, ka vendosur të zhvillojë procedurë me negocim pa shpallje publike, dhe sipas udhëzimeve të tij, kriteret për vlerësimin e operatorëve ekonomikë në aspektin e cilësisë ishin të reduktuar”, njofton Prokuroria.
Ish-kreu i KSHZ e nënshkroi kontratën me kompaninë pa provuar software-in, që solli mosfunksionimin e tij ditën e zgjedhjeve, duke privuar publikun nga përditësimi elektronik i rezultateve.
Në një tjetër prokurim, Derkovski lejoi që menaxheri i një kompanie të përpilonte kriteret e prokurimit për blerjen e televizorëve monitorues, duke e favorizuar përzgjedhjen e saj në fund.