Lot. Dhimbje dhe urrejtje në të njëjtën kohë. Kjo ishte pamja që shoqëroi ditën e martë, por do të shoqërojë edhe ato pasardhëse nga videoja që tregonte si dhunohej barabarisht një femër, një nënë me dy të mitur, njërin në krahë dhe tjetrën për dore.
Asnjë nga ne nuk i shikon këto skena për herë të parë, fatkeqësisht. Të gjithë e dimë se çfarë ndodh, jo vetëm Vlorë apo në ndonjë cep të thellë të Shqipërisë ku as nuk kanë dëgjuar për “emancipimin” e gruas, por edhe këtu në kryeqytet.
Ajo nënë e dy fëmijëve, por edhe shumë viktima dhe nëna të tjera të këtij vendi, nuk kanë nevojë të dëgjojnë leksionet teorike të levizjes “feministe” të financuara nga donatorë apo sponsorizuara nga parti. Ato kanë nevojë për reagime të vërteta, sepse dhuna ndaj tyre dhe vuajtjet e tyre janë të vërteta.
Sot kur përveç lotëve dhe mallkimeve të femrave dhe të meshkujve, të rinj e të vjetër, nuk pashë të dilte askush nga zonjat e politikës, apo edhe zotërinjtë, të kërkonte falje. T’i kërkonin falje asaj nëne e cila më të rënda se dhimbjet e trupit ka dhimbjet e shpirtit. Kur mashkulli që solli në jetë fëmijët e saj e dhunoi publikisht në mes të ditës, në mes të qytetit, nuk guxoj dot të imagjinoj si mund të jete keqtrajtuar ajo brenda mureve të shtëpisë. As kam guxim të imagjinoj se çfarë ju kanë parë sytë dy fëmijëve të saj, të cilët për imazhe të jetës së “lumtur” në familje kanë dhunën ndaj nënës dhe shëprfilljen e tyre si qënie njerëzore.
Dhe ne diskutojmë a na duhen lëvizjet feministe. Jo nuk na duhen lëvizjet feministe. Nuk na duhen ca organizata që bëjnë sikur punojnë dhe marrin fonde se po shpëtojnë femrat nga dhuna, në një kohë që statistikat tregojnë rritje të rasteve të dhunës nga viti në vit. Sipas INSTAT-it në vitin 2010 janë denoncuar 1 998 raste të dhunës ndaj femrës, ndërsa në vitin 2015 janë shënuar 3 542 raste. Për sa kohë që dhuna është ulur këmbëkryq, ne nuk na duhet të kërkojmë barazi gjinore. Ne na duhet të kërojmë drejtësi natyrore: të drejtën e inidividit për të qenë i lumtur, i përkrahur, i vlerësuar dhe bashkëudhëtar.
Dhuna në familje është bërë krimi më i zakonshëm në këtë vendin tonë të vogël por që bëmat i ka të mëdha.
Mesatarisht, 8 gra në ditë, gjatë vitit 2015 kanë përjetuar dhe denoncuar dhunë në familje. Kjo është shifra e dalë nga ato gra që kanë pasur guximin të denoncojnë. Këtu kemi përjashtuar kategorinë e atyre që nuk kanë pasur guximin ta bëjnë këtë për hir të fëmiëjve, turpit, pamundësisë për të gjetur zgjidhje tjetër, të pambështetura nga familjet ku kanë dalë bija, apo edhe nga frika se ju kërcënohet jeta.
Kush duhet të merret me këto të dhëna. Kush duhet të reagojë dhe të japi kontributin e vet? Të gjithë! Kjo nuk është më çështje e lëvizjeve feministe. Kjo është çështje e familjeve, sepse të gjithë lindim dhe rritemi aty—së paku, ne jemi te gjithë fëmijë të një familjeje.
Ku janë gratë e politikës? Janë të zëna me debatin ofendues për qenien femërore për çështjet e numrave në lista? Ku janë gratë e organizatave që paguhen për të punuar mbi barazinë gjinore? Ku janë gratë e komuniteteve të besimit, pavarësisht fesë që kanë zgjedhur të ndjekin? Ku janë burrat e politikës, këta bij nënash? Po burrat e besimit, biznesit e të gjithë me rradhë?!
Sot na duhen të gjithë. Sot na duhen lëvizjet që kanë në qendër familjen. Më pak se çdo gjë sot na duhen ca organizata që ekzistojnë për të tërhequr fonde në emër të grave. Jo, na duhet ti vemë gishtin kokës dhe zemrës dorën dhe të ecim përpara. Të kuptojmë se çdo individ është i veçantë dhe nuk ka nevojë për barazi, por ka nevojë për liri dhe lumturi.
Duhet që nëndërgjegjja jonë qytetare të mos lëshojë thjesht ca mallkime kur shohim dhunë, por të kërkojmë falje që nuk bëjmë aq sa duhet që këto shprehje dhe situata të mos ndodhin kurrë.
Na duhet të edukojmë familjet sepse duhet të kuptojmë qartësisht se jo të gjithë meshkujt janë dhunues e jo të gjitha femrat janë viktima. Sot na duhet familja e shëndoshë dhe jo ca ligje që nuk i përfill askush.