Shumica socialiste, opozita jashtëparlamentare dhe ajo në parlament kanë bërë propozime konkrete për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë dhe mënyrës së organizimit të koalicioneve. Por ku ngjajnë dhe ku dallojnë nga njëri tjetri propozimet e tyre?
Të gjithë përfaqësuesit politik, PD, LSI, PS, grupi Demokrat dhe Rudina Hajdari bien dakord për respektimin e kuotave gjinore, qytetarët të votojnë vetëm një parti dhe një kandidat dhe në rast se voton më shumë se një kandidat, vota t’i kalojë partisë.
Dallimi kryesor mes propozimeve është renditja e kandidatëve për deputet në listat që dorëzohen në KQZ:
PS dhe grupi Demokrat propozojnë renditjen e kandidatëve për deputet nga kryetari i partisë.
Sipas propozimit të PS, personi i cili merr më shumë vota parapëlqyese se sa vetë partia ka të drejtë të zëvendësojë personin e fundit të listës së partisë.
Ndërsa, grupi Demokrat propozon një të tretën e listës të mbyllur, poshtë kësaj kandidatët renditen sipas numrit të votave parapëlqyese.
PD, LSI dhe Rudina Hajdari propozojnë renditjen e kandidatëve në rend alfabetik dhe rirenditjen sipas numrit të votave parapëlqyese të marra nga votuesit.
Sistem i propozuar nga PS dhe grupi Demokrat është sistem me lista të mbyllura dhe ofron shumë pak mundësi që një person i votuar nga votuesit të zgjidhet deputet.
Sistemi i propozuar nga PD, LSI dhe Rudina Hajdari është sistem me lista 100 për qind të hapura. Deputetët zgjidhen bazuar në votën parapëlqyes që marrin.