Për të gjashtin vit radhazi, kompania shtetërore Albcontrol do të paguajë rreth 340 mijë euro për kontrollin shëndetësor të punonjësve në Spitalin privat Amerikan.
Që prej vitit 2014, Spitali Amerikan është fituesi i të gjithë tenderëve të Albcontrol për kontrollin shëndetësor, me vlerë totale rreth 2,15 milionë euro.
Me rreth 320 punonjonjës, Albcontrol ka shpenzuar që prej 2014-ës, rreth 6700 euro për secilin punonjës për të kontrolle dhe analiza rutinë në Spitalin Amerikan. Një shërbim i panevojshëm në një kohë që qeveria ka miratuar koncesionin e check-up, për kryerjen e analizave falas në spitalet publike për të gjithë qytetarët.
Në pothuaj të gjithë tenderët, Spitali Amerikan, në pronësi të Klodian Allajbeut, ka qenë e vetme në garë dhe ofertat e saj kanë qenë sa fondit limit i vënë në dispozicion nga Albcontrol. Ky fakt, si dhe çmimet disa herë më të larta se tregu për paketat e kontrolleve dhe analizave, lënë vend për dyshime për tendera klientelistë.
Exit News sjell më poshtë të gjithë tenderët e fituara nga Spitali Amerikan për kontrollin shëndetësor:
– Në vitin 2014, Spitali Amerikan fitoi tenderin me vlerë rreth 340 mijë euro për kontrollin shëndetësor të punonjësve.
– Në vitin 2015, Spitali Amerikan fitoi tenderin me vlerë rreth 440 mijë euro për kontrollin shëndetësor të punonjësve. Në këtë garë mori pjesë dhe kompania Montal, por ajo u skualifikua. Oferta e bërë nga Spitali Amerikan ishte sa 100 për qind e fondit limit.
– Në vitin 2016, 2017, 2018 dhe 2019 Spitali Amerikan ka fituar 4 tendera me vlerë të njëjtë prej 340 mijë eurosh secili, duke garuar e vetme në garë dhe duke bërë ofertë sa 100 për qind e fondit limit.
Albcontrol sha është kompani në pronësi të qeverisë shqiptare, përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila menaxhon hapësirën ajrore të Shqipërisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të fluturimit.