Të majtët evropianë dhe intelektualët e tyre, prej shumë kohësh në krizë për mungesë të kauzave të besueshme, po i bien kryq e tërthor shesheve katalanase me grushtat ngritur lart. Ndjenja revolucionare e një kaste që është shitur me një çmim luksi tek kapitalizmi i madh po kërkon të rigjejë energjinë e shuar me një nga kauzat më të pamundura dhe më pak ndërkombëtare: pavarësinë e Republikës së Katalunjës nga monarkia e urryer spanjolle.
Në histerinë e një gjendje të rënduar që mund të përfshijë të gjithë strukturën evropiane, gazetarë dhe intelektualë të majtë po rijetojnë epopenë e Katalonjës që lufton në ekstrem kundër përparimit të frankoistëve, miti që i jepte jetë impulseve të tyre revolucionare të viteve të rinisë.
Por revolucionet nuk bëhen me barkun plot, dhe qasja jo e dhunshme demokratike e katalanasve pro pavarësisë arriti vetëm të ekspozojë “përbindëshin e vjetër shtypës” të Gardës Civile, në përpjekjen e tij qesharake për të ndaluar një referendum të paligjshëm, të pajustifikuar dhe vetëshkatërrues, që solli një lumë komentesh në të gjitha mediat evropiane mbi “mizoritë” e shtetit të centralizuar që shtyn e godet disa pleq të pamundur.
Një buletin shëndetësor, jashtëzakonisht i njëanshëm, bën të ditur për një numër qytetarësh të goditur, por që edhe nëse është i vërtetë, nuk i afrohet aspak numrit të të dëmtuarve gjatë përplasjeve në shesh kundër samitit të G-8 në Gjenovë, apo gjatë atyre përplasjeve banale në ndeshjet e futbollit, për të mos folur për masakrat, ato të vërtetat, që ndodhin çdo ditë në Siri apo në Mesdhe.
Por një shesh, ai katalanas, mbushur me mijëra gazetarë nga e gjithë bota, thirrur nga një juntë lokale që do me çdo kusht dhe në mënyrë të papërgjegjshme të mos i bindet shtetit dhe kushtetutës të brohoritur në kohën e tyre nga vetë ata, duhet “detyrimisht” të bëjë më shumë lajm se sa tragjeditë e vërteta të kohës sonë.
Pavarësi-kërkuesit katalan—në një rajon të pasur dhe të integruar në mënyrë perfekte me mekanizmat evropiane—nuk i kuptohet qëllimi i vërtetë, dhe aq më pak kuptohet hareja e papërgjegjëshme e të majtëve evropiane që kënaqen me mundësinë për të protestuar kundër shtetit të njehsuar të qeverisuar nga një parti nacional-popullore.
Dhe ato për të cilat të gjithë po heshtin, janë pikërisht pasojat e kësaj papërgjegjshmërie.
Pas pak ditësh, histerikët e pavarur katalanas do të festojnë idiotësinë e tyre duke shpallur një pavarësi shumë të rrezikshme, nga e cila do të fillojë rënia përfundimtare e organizatës evropiane, të atij Bashkimi Evropian, sot të paqëndrueshëm, por të burgosur brenda një sistemi rregullash që nuk mund t’i lejojnë kurrë të pranojë realitetin katalanas.
Mbretëria e Spanjës, e cila është edhe monarkia kushtetuese më e vjetër e botës, ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. E si mund të mendojnë katalanasit dhe mbështetësit e tyre të së majtës evropiane që ajo mund të pranojë Katalonjën e pavarur me të drejta të njëjta me Spanjën, brenda Bashkimit Evropian?
Dhe sikur Spanja të mos e ushtrojë të drejtën e vetos që i japin traktatet evropiane, cilat vende të BE-së, shumë prej të cilave janë nën darën e presioneve të instikteve shkëputëse nga pjesë të—Belgjika ndërmjet flamandëve dhe valonëve, Franca me baskët, korsikanët dhe katalanët, Italia me sicilianët, sardenjasit dhe legistët venecianë e lombardët, për të mos folur për problemet e Mbretërisë së Bashkuar) mundet të konsiderojë ndonjëherë një Katalonjë të pavarur?
Bashkimi Evropian ka lindur si një shoqëri e shteteve qendrore, e rregulluar nga traktate të nënshkruara dhe të pranuara prej tyre, dhe kthimi i saj në një shoqëri rajonesh të pavarura, apo në “atdhe të pavarur” është një ushtrim i vështirë që në këtë fazë të historisë, do të sillte rënien e përgjithshme të tij.
Por diskutimi “katalan” në Evropë sidoqoftë do të mjaftojë për të paralizuar përgjithmonë planet e paqarta të Procesit të Berlinit dhe integrimin evropian të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.