Në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, zyrtarët e lartë kanë shprehur mirënjohjen dhe falenderimet për to, veçanërisht gjatë muajve të fundit kur janë në vijë të parë në luftën kundër Covid-19.
Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për gjithë sakrificat e infermierëve:
“Kurrë nuk ka qenë kaq ndërkombëtare dita e tyre!
Infermierët që kemi parë me sy të pagjumë, me vullnet të pamposhtur prej turneve të gjata në luftë me Armikun e Padukshëm, na dhanë të gjithëve, përditë, në këtë kohë lufte për jetën, leksionin e jashtëzakonshëm të moralit e të profesionalizmit të tyre, në krye të detyrës.
Mirënjohje çdo infermiereje e infermieri në Shqipëri.”
Presidenti Ilir Meta theksoi se kujdesi ndaj infermierëve nuk duhet të jetë vetëm në ditën e tyre, por gjatë gjithë vitit, ashtu si puna e tyre:
“Dita Ndërkombëtare e Infermierëve, na kujton sot se mirënjohja e thellë, falenderimi dhe përkujdesja për heronjtë e ditëve tona, nuk duhet të shprehet vetëm në një ditë.
Shoqëria jonë dhe institucionet shtetërore duhet të tregojnë kujdes maksimal për trajtimin dhe vlerësimin e merituar të infermierëve, të cilët me përkushtimin, profesionalizmin, sakrificat dhe dashurinë për jetën, shkëlqyen në vijën e parë të përballjes me COVID-19, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne.”
Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu falendëroi infermierët për përkushtimin e tyre:
“Si ditën e parë të epidemisë, sot e gjithë ditën, infermierët e palodhur të dy spitaleve COVID janë në vijën e parë të betejës me koronavirusin.
Kam një falenderim të përzemërt për secilin prej tyre, por edhe për çdo infermier të shërbimit shëndetësor, nga urgjenca kombëtare, në qendrat shëndetësore, poliklinikat e specialiteteve dhe spitalet nga veriu në jug, që shërbejnë me përkushtim çdo ditë të vitit.”
Ndërsa kuvendi ka shpërndarë karafila për infermierët në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për punën e bërë.