Paligjshmëria e ekstradimit të Nezar Seitit, anëtar i bandës Habilaj, për në Itali është diskutuar gjerësisht ditët e fundit në media. Dje ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj mohoi që ministria të ketë pasur dijeni për hetimet e Seitit në Shqipëri ndaj ka lejuar ekstradimin e tij. Por si është e vërteta?
Më poshtë Exit jep një kronologji të ngjarjes, që nga arrestimi i Seitit e deri tek dokumentet që vërtetojnë se Ministria e Drejtësisë ka pasur dijeni për hetimin e Seitit:
– Guardia di Finanza e Katanias arrestoi më 16 tetor 2017 Moisi Habilajn, dy shqiptarë të tjerë dhe katër italianë, të gjithë anëtarë të bandës së narkotrafikut Habilaj.
– Prokuroria e Katanias lëshoi urdhër-arresti dhe për katër anëtarë të tjerë, mes tyre dhe Nezar Seiti, i njohur si financieri i Habilajve, njëkohësisht dhe kunati i tyre. Në këtë çështje u përfshi dhe ish-ministri Saimir Tahiri, kushuri i Habilajve.
– Vetëm 3 ditë më vonë, më 19 tetor, Nezar Seiti u arrestua gjatë një aksioni të policisë shqiptare në Babicë të Vlorë. Gjatë këtij operacioni u kapën 4,5 tonë kanabis.
– Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi menjëherë hetimin, ndërkohë që ndaj Seitit u dha masa e sigurisë “arrest me 20 ditë burg”.
– Më 8 nëntor 2017, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi ashpërsimin e masës së arrestit nga “arrest me 20 ditë burg”, në “arrest me burg”. Ky vendim, bazuar dhe në nenin 419 të Kodit të Procedurës Penale që ndalon ekstradimin e çdo personi që është aktulisht nën hetim për krim në Shqipëri, bllokoi e ekstradimit e tij drejt Italisë, deri sa të përfundonin hetimet në Shqipëri.
– Më 22 nëntor, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda hodhi poshtë kërkesën e Nezar Seitit, për të zbutur masën e arrestit me burg. Nezar Seiti ishte i vetmi anëtar i bandës Habilaj i arrestuar dhe nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri.
– Më 25 janar 2018, Nezar Seiti u ekstradua në Itali, në shkelje të nenin 419 të Kodit të Procedurës Penale.
– Sipas Kodit Penal, ekstradimi lejohet vetëm mbi bazën e një kërkese drejtuar Ministrisë së Drejtësisë. Kjo kërkesë shoqërohet me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, përfshi dhe dokumentin që provon mungesën e hetimeve apo gjykimeve në Shqipëri të personit që do të ekstradohet. Prokuroriria ngarkohet që të sigurojë të gjithë dokumentet e nevojshme që vërtetojnë se personi nuk është nën hetim dhe mund të ekstradohet.
– Më 26 janar 2018, Kryeprokurorja Arta Marku pranoi se ekstradimi i Seitit është bërë në shkelje të ligjit. Arsyja që ajo ka dhënë për shkeljen e ligjit është: Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë nën varësinë e saj nuk e dinte që një tjetër njesi nën varësinë e Markut, Prokuroria e Krimeve të Rënda, po hetonte Seitin, ndaj kishte autorizuar ekstradimin në emër të Prokurorës së Përkohshme të Përgjithshme.
– Po ashtu, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, dje gjatë një interviste për gazetarin Blendi Fevziu, mohoi që Ministria e Drejtësisë të kishte dijeni për hetimin e Nezar Seitit në Shqipëri.
– Përveç faktit se arrestimi dhe hetimi i Seitit si i vetmi anëtar i bandës Habilaj në Shqipëri është ndër çështjet më të përfolur muajt e fundit në Shqipëri, ndaj gjasat që prokurortët që merren me çështje që lidhen me hetimin e tij (letërporositë më jashtë dhe marrjen e informacionit me jashtë) të mos dinë gjë që ai ishte në hetim janë pothuajse zero, Partia Demokratike ka publikuar dokumente që vërtetojnë se Ministria e Drejtësisë ka qenë në dijeni të hetimit të Seitit në Shqipëri.
– PD ka publikuar sot dokumentin ku Kancelari i Gjykatës së Krimeve të Rënda i kthen përgjigje Drejtorisë së Burgjeve, institucion ky nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Dokumenti, i datës 8 janar 2018, përmban një kopje të njehësuar të vendimit të gjykatës për “caktimin e masës së sigurisë të shtetasit nën hetim Nezar Seiti.”
Mjafton ky dokument për të hedhur poshtë pretendimet e ministres Gjonaj e Kryeprokurores Marku dhe për të nisur hetimin ndaj tyre.
Ekstradimi i Seitit është një kthesë e rëndësishme në favor të ish-ministrit Tahiri, i përfshirë në këtë çështje, aq më tepër në kushtet kur tashmë nuk ka më asnjë person tjetër të arrestuar nën hetim për cështjen e tij—policia nuk ka kapur dy vëllezërit Florjan dhe Artan Habilaj dhe një sërë personash të tjerë të shpallur në kërkim, përfshi ish-drejtorin e policisë së Vlorës.