1 – Shën Maria e Beratit trazon Korçën
Në janar të vitit 2013 një debat i pazakontë filloi në Korçë e u ngjit në Tiranë. Teatri bashkiak korçar kishte vënë në skenë dramën “Shën Maria e Beratit” me autor ND, asokohe deputet i Partisë Socialiste në opozitë, e me regjizor të ndjerin Dh. Orgocka. Mitropolia e Korçës e quajti dramën denigruese, fyese, blasfemuese dhe me remineshenca të forta komuniste. Pala tjetër nuk i pranonte këto kritika dhe shprehej se do të kërkonte dialog e sqarim me Kishën Ortodokse. Pas tre shfaqjesh teatri e pezulloi dramën.
Në Tiranë, ku debati u stilizua si raport midis lirisë artistike dhe respektit ndaj Kishës e fesë/feve në tërësi ndërhyri edhe Kryeministri, i cili e dënoi mesazhin enverist e antifetar të pjesës teatrale. Autori deputet duke replikuar i quajti pa bazë akuzat e vijoi me kritikat rutinë ndaj qeverisë.
Skenari i “Shën Marisë” ishte kritik ndaj institucioneve tradicionale e një figure historike të kishës të cilat ishin prezantuar negativisht në propagandën e regjimit. Fatkeqësisht, dramën në fjalë unë as nuk e pashë në skenë e as nuk e lexova për të patur një opinion timin mbi të. Por debati i v.2013 mbi Shën Marinë e Beratit ishte shumë interesant për mënyrën direkte, nganjëherë të ashpër, por gjithsesi të civilizuar dhe institucionale se si u zhvillua. Me sa kujtoj ishte edhe i pari i këtij lloji.
2 – Jo dhunës, po respektit!
Para tre muajsh në një artikull mbi këtë temë argumentoja se në këto çështje ushtrimi i dhunës e kërcënimi me të duhet absolutisht të jenë vija e kuqe që të ndan me të papranueshmen e të dënueshmen; po ashtu edhe gjuha e urrejtjes që është në fakt materniteti i dhunës. Si shembull pozitiv merrja një grupim hoxhallarësh shqiptarë: kur protesta të dhunshme përfshinë botën myslimane të revoltuar nga disa karikatura të Profetit Muhamet në një revistë satirike daneze ata shkuan kolektivisht në spital për të dhuruar gjakut. Me këtë reagim hoxhallarët shprehnin dashurinë ndaj profetit dhe reagonin ndaj asaj që e ndjenin si ofendim.
Krahas kësaj respekti i veçantë për besimin dhe institucionet e klerikët e tij është i nevojshëm si tipar i kulturës shoqërore. Ndërkohë që liria e shprehjes mund të ushtrohet edhe në mënyrë eksentrike apo të ekzagjeruar lipset që kjo të ballancohet me një sens vetëpërmbajtje të diktuar nga ky respekt. Shqipëria që si kurkund mbi dhé aplikoi për 23 vjet ateizmin shtetëror e ka edhe më të nevojshëm këtë.
Respekti në fjalë nuk mund të imponohet përmes shtrëngimit të ligjit; ai është produkt kulturor i përpjekjeve të autoriteteve të të gjitha fushave dhe kështu përvetësohet e brendësohet nga shoqëria. Por do të ketë gjithmonë përjashtime dhe sjellje të skajshme pasi kjo është e paevitueshme në një regjim pluralist. Shumë francezë (modestisht e në distancë edhe unë) i konsideronin të shpifura karikaturat poshtëruese e dehumanizuese (sidomos ndaj feve e figurave të shenjta) të revistës Charlie Hebdo e madje edhe vetë revistën. Por qëkurse ekstremistët islamistë masakruan personelin e saj në janar 2015 ironikisht, por jo krejt pa të drejtë, revista u pa si mishërim i përgjakur i fjalës së lirë.
3 – ‘Corner Comedy Club’ në shënjestër
Incidenti me “Corner Comedy Club” në Tiranë në mes të gushtit nuk ishte banal. Aty komedianti flet për këngët që nuk bëjnë për një festival dhe pas pak çastesh dëgjohet në sfond ezani me një imam që thërret “Allahu akbar!” E publiku që qesh. Një hoxhë i revoltuar e shpraz marazin e tij në facebook për këtë fyerje (por duke apeluar që besimtarët të mos e kalojnë cakun) dhe në vijim një ortek fyerjesh e kërcënimesh jo vetëm online derdhet mbi klubin. Madje kërcënimet u shndërruan edhe në fizike kur klubit i trokitën në derë mujsharë të egërsuar përfshi edhe vëllain e hoxhës. Aq sa rastin po e heton policia e prokuroria. Media e raportoi sipërfaqshëm këtë ngjarje të ndodhur në kulmin e vapës e pushimeve, veço këtu BIRN-in, që meriton të përgëzohet.
4 – Braktisja e detyrës publike
Por ajo që të shurdhon veshët në këtë kontekst është heshtja e autoriteteve! Komuniteti Mysliman që ka autoritetin përfaqësues e shpirtëror të klerikëve e të besimtarëve nuk foli një fjalë. Edhe qeveria që mban përgjegjësi direkte sipas Kushtetutës për liritë e të drejtat nuk gjeti kohën apo nuk e pa me vend të prononcohej për rastin. Ndërkohë që ishte shumë aktive me çështje rajonale e globale. Edhe opozita që konsumoi në verë temat e masakrës e në vjeshtë po orientohet nga temat e reformës nuk pipëtiu. Edhe shoqëria civile, dmth OJF ekzistuese, nuk u pa e dëgjua të fliste.
Për ironi të vetmit ofiqarë publikë që u prononcuan (në artikullin e BIRN-it) ishin nga policia e prokuroria me refrenin e tyre “po e hetojmë”. Me siguri do të kenë gëluar rrjetet sociale me profanitetin dhe ekstremizmin anonim tipik për to pro bash për ketë arsye nuk duhet t’i kesh në refene.
Mund të kesh një pikëpamje apo një tjetër për balancën mes lirisë së shprehjes e respektit për fenë. Luajaliteti kushtetues duhet të na shtyjë të tërëve që të dënojmë qartazi dhunën sektare. Por të fshehësh kokën si struci në rërë nuk është veçse një braktisje e detyrës publike. Sepse problemi nuk do të davaritet vetiu. E pa patur një konsesus të gjerë e të shprehur mbi këtë çështje mund të kemi dëme jo të vogla në të ardhmen.