Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka hapur proçedurat për dhënien me konçesion të përfundimit dhe mirëmbajtjes të rrugës së Kombit (Milot- Morinë). Kjo është hera e katërt që ministria tenton të japë me konçesion këtë rrugë. Dy herët e para nuk u shpreh asnjë interes, ndërsa herën e tretë ofertat e paraqitura rezultuan më të shtrenjta se parashikimet e Ministrisë.
Pavarsisht nga dështimet e mëparëshme, duket që Ministria nuk ka ndryshuar asgjë nga kushtet e konçesionit.
Kompania konçesionare do të përmirësojë, ndërtojë, mirëmbajë dhe shfrytëzojë këtë autostradë për 30 vjet. Konçesionari do t’i sigurojë të ardhurat nga pagesa e automjeteve që do ta përdorin atë. Nëse pagesat e grumbulluara bien nën nivelin e të ardhurave të garantuara, qeveria do të subvencionojë kompaninë.
Investimet e parashikura për kompaninë fituese ndryshuan nga 38-43 milion Euro në tenderin e 2015 në 43-48 milion Euro në këtë të fundit.
E paqartë është arsyeja pse qeveria ka shtuar investimet e kompanisë, kur kërkon oferta më të lira se ato të paraqitura herën e fundit.