Qeveria ka nisur shpërndarjen e granteve të para të rindërtimit, për familjet, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeri i 26 nëntorit.
Bashkia e parë e cila ka përfituar është ajo e Shijakut, ku deri tani 315 qytetarë kanë marrë grantet sipas vlerësimeve të bëra nga ekspertët.
Në një konferencë online, Kryeministri Rama, ministri për Rindërtimin Ahmetaj dhe kryebashkiaku i Shijakut Arbana njoftuan se në Shijak do të përfitojnë dhe 530 familje të tjera, dhe se më pas do të nisë i njëjti proces në bashkitë e tjera.
Për pallatet, Arbana tha se janë vendosur në krye të procesit të menaxhimit të granteve administratoët e pallateve.
Ministri Ahmetaj tha se në 7 bashki të prekura nga tërmeti janë në total 5708 familje që përfitojnë grante, por po vazhdon akoma puna në bashkitë e mëdha:
“5708 familje përfituese janë. Presim përfundimin në Bashkinë e Tiranës, Lezhë dhe Durrës. 2 miliard lekë është shuma në Bashkitë me proces të përfunduar. Për të gjitha Bashkitë që do të bëjnë vlerësimin final, premtojmë që brenda korrikut të gjitha familjet të marrin paratë.”