Maqedonia e Veriut ka nisur të hënën vaksinimin e gazetarëve dhe punonjëive të tjerë të mediave. Shoqata e Gazetarëve njoftoi se ishin paraqitur 631 gazetarë, të cilët kanë përmbushur kushtet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, të jenë më sëmundje tjera shoqëruese si dhe të moshës mbi 40 vjeç.
Gazetarët do të vaksinohen me vaksinën Sputnik V.
Me vaksinën AstraZeneca po vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç.
“Personat që aplikuan për thirrjen e parë, dhe që nuk i plotësuan kërkesat për këtë fazë të vaksinimit, si dhe të gjithë gazetarët dhe punonjësit e tjerë të medias të interesuar, do të imunizohen për grupin tjetër të vaksinimit që pritet të bëhet së shpejti. E njëjta gjë vlen për të gjithë ata që aplikuan pas skadimit të afatit të aplikimit në këtë fazë të vaksinimit”, shkruhet në njoftimin e Shoqatës së Gazëtarëve.
Deri të hënën në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar mbi 24 mijë persona. Në vend janë rregjistruar 141 mijë raste në total, prej tyre 4.228 e kanë humbur jetën dhe mbi 116 mijë janë shëruar.