Receta që JaMystic propozon për sot është: Fileto koce panè.
Për 4 persona duhen:
- 2 peshq Koce të mëdhenj,
- 1 vezë,
- 3 lugë gjelle miell,
- 3 lugë gjellë bukë të thekur të bluar,
- ½ limon,
- 2-3 lugë Pana,
- 100g gjalpë,
- Pak majdanoz dhe kopër të grirë për zbukurim.
Për këtë recetë mund të përdoret edhe lloj peshku tjetër që mund të bëhet fileto.
Si fillim krijojmë filetot e peshkut. Na duhet një thikë e mprehtë me majë.
Në pjesën kurrizore të peshkut përgjatë gjatësisë së tij presim me thikë deri tek bishti dhe pa e shkëputur thikën e kalojmë deri tek pjesa e barkut dhe shkëpusim fileton e parë.
Bëjmë të njëjtin operacion nga ana tjetër .
I kontrollojmë filetot për ndonjë halë.
Pastaj afër nesh përgatisim tre pjata. Në një kemi miell, në një vezën e rrahur dhe në tjetrën bukë të thekur të bluar.
Kalojmë filetot me rradhë në miell, pastaj në vezë pastaj në bukë të thekur. E përsërisim veprimin për të gjitha filetot . Ndërkohë vëmë në tigan gjalpë dhe pak vaj dhe e lëmë të nxehet.
Kur gjalpi të shkrijë i vendosim filetot fillimisht nga ana e lëkurës dhe pasi skuqen i kthejmë nga ana tjetër.
Në një enë tenxhere të vogël shkrijmë 100g gjalpë dhe e perziejmë me gjysëm lëng limoni .
Kur gjalpi të shkrijë e heqim nga zjarri dhe i shtojmë masës dy lugë gjelle të plota me pana.
E përzjejmë shpejt që pana té mos pritet.
Kjo do të jetë salca që do të hedhim mbi filetot e skuqura.
JaMystic këshillon: Kjo pjatë shoqërohet me patate të ziera ose me oriz basmati.