Një thirrje për shqiptarët

Nga Jaime Pozuelo-Monfort
Një thirrje për shqiptarët

Dy prioritetet e para që duhet të përqafojnë shqiptarët janë çlirimi nga politika dhe elita politike dhe divorci përfundimtar me të, si dhe pranimi se situata aktuale është dramatike në mënyrë që të përqafojnë një mënyrë tjetër radikale të të bërit politikë.

Shqipëria është sot një vend që ngjason më shumë me një shtet mafioz apo republikë bananesh se sa me kombet e zhvilluara dhe të mirë-qeverisura fqinjë si Kroacia apo Sllovenia. Ideja false se Shqipëria do të bëhet Zvicër brenda 25 vitesh, dëshmon dëshirën imagjinare të disa figurave kryesore të vendit që buron nga moskuptimi nga ana e tyre i fundit tragjik që e pret këtë republikë ballkanike nëse nuk do të ndodhin ndryshime të mëdha për të shkuar përpara.

Ndërkohë, në politikën shqiptare po luhet një dramë e vërtetë. Në skenarin e kësaj drame, udhëheqësit politik intepretojnë rolet e mësuar përmëndsh dhe protagonistët, që nuk e meritojnë rolin e tyre, i përcjellin shoqërisë idenë e rremë të normalitetit dhe drejtimit të mirë të punëve. Është një skenar ku prioritetet përqafohen vetëm për hir të institucioneve ndërkombëtare të cilët janë bashkëpunëtorë në këtë fiasko. Është një skenar ku përplasja dhe polarizimi i dukshëm paraqiten si mjete për të të siguruar një pjesë të byrekut zgjedhor. Është një skenar në të cilin mungesa e stimujve dhe disiplinës individuale mungon në mënyrë të përhershme. Në mungesë të shembujve për t’u ndjekur, çdo individ shndërrohet në një person që mundohet të përfitojë nga çdo gjë.

Dështimi i sistemit në Shqipëri nuk është gjë tjetër veçse përsëritje e simptomave që janë vërejtur dhe kaluar në shumë vende të tjera në zhvillim. Perëndimi ka dështuar në përpjekjen për të imponuar sistemin e tij, tashmë të vjetëruar, të qeverisjes përmes një morie agjencish dhe institucionesh ndërkombëtare. Ndërkohë, ambasadorët janë thjesht kukulla përfaqësuese të korporatave oligarkike perëndimore, prioriteti kryesor, por jo i vetmi, i të cilave është të sigurojnë eksportin e prodhimeve të tyre dhe të mbrojnë interesat e tyre në tokën shqiptare. Në mungesë të një modeli origjinal, elitat mediokre besojnë se thjesht kopjimi mekanik i politikave, kuadrit institucional dhe legjislacionit të kombeve më të mirëqena është kusht i mjaftueshëm që, më në fund, të fillojnë të marshojnë drejt mirëqenies. Por kjo është e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Llogaritë e thjeshta tregojnë se Shqipëria dhe shqiptarët duhet ta projektojnë vetë udhëtimin e tyre, të projektojnë një model të ri, një qasje të re në mënyrë që me të vërtetë të nisin rrugëtimin drejt mirëqenies, pa hezitim, pa përplasje. Mund të ketë një model të ri, një qasje e re për Shqipërinë e cila mbetet e veçantë. Por në botën e sotme skemat e reja të qeverisjes duhet të jenë globale, të ndërlidhura.

Unë refuzoj të besoj dhe të pranoj se ne duhet të ruajmë patjetër sistemin aktual. Modeli aktual i qeverisjes në Shqipëri dhe në shumë vende në zhvillim është arkaik. Skema të reja të alternative të qeverisjes duhet të lindin. Elitat aktuale duhet të sfidohen dhe të përballen. Politikanët me interesa të dyshimta e të paligjshme, të lidhur me biznesin dhe mediat, duhet të zëvendësohen me një tjetër lloj udhëheqësie, me një grup të ri individësh të talentuar, me integritet, pavarësi, pragmatizëm dhe vizion, të organizuar në një front të përbashkët, në një aleancë të përbashkët në shërbim të shoqërisë.

Është më e përshtatshme të fillosh një ndërtesë të re nga e para se sa të restaurosh një strukturë të vjetër me themele të ndryshkura. Sistemet, modelet lindin, jetojnë dhe vjetërohen për t’u zëvendësuar nga qasje më të mira. Lojtarët që kanë privilegje të pamerituara në gjendjen aktuale bëjnë rezistencë. Qytetarët që mendojnë se alternativat e reja mund të çojnë në kaos, mungesë rendi dhe revolta, frikësohen dhe sillen në mënyrë konservatore. Por nuk është e thënë të ndodhë patjetër kështu, pasi tashmë ekzistojnë teknologji të reja të cilat sjellin ndryshime në mënryë më elegante, me metoda dhe mënyra paqësore, me armët më të fuqishme që ekzistojnë: armët e bindjes në masë. Një thirrje për gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht për më të talentuarit, me ambicie për të ndryshuar rrënjësisht sistemin dhe status quo-në më nxit t’ju drejtoj këtë promemorje urgjente. Disa protagonistë që i janë përgjigjur thirrjes sime janë të frikësuar, të strukur në bunkerët e tyre të rehatisë për të ruajtur ndonjë avantazh të cilin e shfrytëzojnë në mënyrë legjitime për të ruajtur standardin e tyre të jetesës. Mos kini frikë, unë nuk po ju urdhëroj të shkoni në luftë, pasi nuk ka beteja që duhen luftuar, përveç asaj të bindjes dhe joshjes. Mos kini frikë që po ju shtyj drejt këtij qëllimi, pasi e vetmja frikë që ekziston është frika vetë.

Qëllimi ynë është i qartë, i guximshëm, vizionar. Qëllimi ynë është të përfytyrojmë të ardhmen më të mirë të mundshme dhe t’ja tregojmë atë shoqërisë, në mënyrën më të përshtatshme. Në këtë të ardhmen më të mirë të mundshme, Shqipëria do të jetë pjesë e një shteti të madh imagjinar të quajtur Balkanland, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Rivalitetet e mëparshme duhet të lihen pas për të përqafuar një kuadër të ri e afatgjatë bashkëpunimi. Integrimin duhet ta shtyjmë përtej kufijve të mundshëm, drejt të pamundurës. Duhet të hartojmë një filozofi të re të bashkëpunimit mbikombëtar që tejkalon edhe ambiciet e Europës së pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo është thirrje për të gjithë shqiptarët në përgjithësi dhe çdo shqiptar në veçanti. Nuk është sulm apo ultimatum. Është ftesë për të përqafuar një model të ri, post-politik, në të cilin gjashtë ekipe bashkëpunuese me arritje të larta në secilin nga gjashtë republikat e Ballkanit ëndërrojnë për horizonte të reja, afatgjata për shtetin e ri imagjinar Balkanland, ku respektohen identitetet, por janë shembur kufijtë dhe barrierat fizike dhe psikologjike.

***

E kufizuar nga paftësia e saj për të projektuar horizonte të reja, elita politike është shndërruar në duopol, të vetëdijshëm se afërsisht gjysma e lakrorit do t’i takojë përherë secilës prej dy partive. Paaftësia për të parë përpara e bën elitën politike një barrë, një pengesë. Elita politike jo vetëm që pretendon se është e ditur, por ajo nuk heq dorë nga absurditeti i ecjes drejt një detinacioni të keqprojektuar.

Ndërkohë, media i mbush transmetimet e saj plot me politikë sharlatane dhe pa lidhje dhe të pavlerë. Mikrofoni u është vënë në dispozicion atyre që nuk e meritojnë. Kjo çmënduri e sotme do të vazhdojë përgjithmonë, sepse lidhjet mes politikës dhe medias janë dukshëm dhe qartazi të pranishme në të gjitha forcat politike paavrësisht ideologjisë apo platformave të tyre teknike. Simbioza e qëllimtë dhe parazitare politikë-media i shfrytëzon qytetarët si viktima, ndërsa qytetarët u japin atyre leje pa kufi për veprimet e tyre.

Si rezultat, drama e Shqipërisë do të vazhdojë përgjithmonë, pasi ata që pengojnë dritën nuk duan të lëvizin nga vendi dhe t’i lëshojnë pozicionet e privilegjuara të cilat nuk i meritojnë më. Kjo situatë absurde do të mbetet e pandryshuar, pasi shqiptarët i pranojnë verbërisht udhëheqësit e tyre si përfaqësuesit e vetëm dhe legjitimë të tyre dhe sepse ata vazhdojnë të zvarriten të joshur nga tundimet e jetës moderne ku narçicizmi individual sundon mbi interesin e përbashkët.

Ndërkohë, ekonomia e tregut e engjëjve mëkatarë shpërblen ata që nuk e meritojnë, ndërsa njerëzit punëtorë stërmundohen për të mbijetuar. Ekuilibri perfekt mes oligarkëve dhe elitës politike garanton miratimin e heshtur të qytetarëve.

Tashmë, nuk mjafton më për të bërtitur që një tjetër Shqipëri është e mundur. Unë dua të inkurajoj individët e talentuar dhe trima të vërtetë që t’i bashkohen përpjekjeve për një model të ri. Elita aktuale politike duhet sfiduar që të përmirësojë nivelin e saj ose të largohet. Një lojë me fitues e humbës është duke u gatuar – në anën tjetër të fushës së shahut është e gjithë elita politike. Të ëndërrosh apo të mos ëndërrosh, kjo është çështja.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>