Sot do të shkojmë në Korenë e Jugut.
Jamystic ju propozon “Pulë të ëmbël pikante”.
Kjo është një pjatë tipike e kulturës koreane quhet “Dagkangjeong” por receta ime është e adaptuar me ingredientë që mund të gjenden lehtësisht.
Për 4 persona duhen:
- 3 fileto pule(1 përdora kofshë gjeldeti)
- 4 lugë gjelle niseshte.
- 1 lugë gjelle feta bajamesh të holla
- Kripë piper
- Vaj për skuqjen
Për salcën
- 2 lugë vaj ulliri
- 1 lugë mjaltë
- 1 fixhan kafeje me salcë soja
- 3 thelpinj hudhër
- 2 speca djegës
- 2 lugë sheqer të kuq
- 1 lugë uthull molle
- 1 lugë kafeje mustardë
- 3 fije qepë të njoma
E presim pulën në fileto të trasha sa gishti.
I marinojmë me kripë e piper dhe i kalojmë një nga një ne niseshte që të jenë komplet të thata.
Në një tenxhere hedhim shumë vaj për skuqjen e tyre.Do ti skuqim njësoj si patatet. I nxjerrim nga vaji dhe i lëmë 5 min dhe bëjmë një skuqje të dytë që të dalin me krokante.
I heqim dhe i lëmë mënjanë të pushojnë.
Ndërkohë fillojmë salcën. Presim në copa të vogla hudhrën. Specat djegës i japim në mes dhe u heqim farat. I presim në copa të vogla.
Në një tigan hedhim 2 -3 lugë vaj ulliri dhe skuqim lehtë hudhrën dhe specat djegës. Shtojmë aty mjaltin, salcën soja dhe i trazojmë. Para fundit hedhim uthullën dhe mustarden dhe sheqerin dhe i trazojmë sërish.
Salcën e nxehtë e hedhim mbi filetot e skuqura dhe i shtojmë gjethet e qepës të grira dhe fetat e bajameve.
Jamystic ju këshillon: Ju mund të shtoni ose hiqni sipas dëshirës sasinë e specit djegës. Kujdes edhe me salcën e sojës se mund t’ju dalë e kripur. Hidheni lugë lugë dhe provojeni.
Kjo pjatë do si shoqërues oriz të zier basmati ose oriz të zi.