Shumë njerëz i krahasojnë këto zgjedhje në mënyrë të padrejtë me zgjedhjet që mbaheshin gjatë periudhës së diktaturës. Them në mënyrë të padrejtë pasi pavarësisht fiktivitetit te tyre faktik, një votues e kishte të drejtën të votonte kundër.
Ndërsa në zgjedhjet që kërkohet të mbahen në datën 30 Qershor, në pjesën më të madhe të bashkive, nuk e ke këtë mundësi.
Vota kundër do të jepte mundësinë që teorikisht, nëse do të kishte më shumë njerëz, të cilët do të votonin kundër se sa ata që do votonin pro, votimet duhet të ripërsëriteshin me një kandidat tjetër.
Në ato bashki ku garon një kandidat i vetëm, ka vetëm një alternativë: të votosh atë kandidat. Bërja e fletës së votimit të pavlefshme nuk prodhon asnjë efekt.
Në mënyrë hipotetike, mund të hidhet vetëm një votë e vlefshme, të numërohet dhe kandidati të shpallet fitues me 100% të votave të vlefshme. Nuk ka asnjë mënyrë ligjore si një nga kandidatët, i cili garon i vetëm, të marrë një rezultat më të ulët sesa 100% të votave pavarsisht nga sa njerëz dalin ne votime.
Diskutimi mbi vlefshmërinë ose jo të Dekretit të Presidentit është i kotë, pasi mundohet ta kanalizojë debatin në çështje procedure, e cila nuk barazohet me të drejtën e votës. Zgjedhjet nuk e kanë burimin e pavlefshmërisë tek dekreti, por sepse ato nuk kanë asnjë kuptim logjik të mbahen për sa kohë një parti e vetme do marrë me procedurë të gjitha bashkitë.
Ata që e mendojnë demokracinë si një procedurë formale, ku ti duhet të votosh edhe kur vota nuk ka asnjë vlerë, nuk kanë kuptuar asgjë nga demokracia, dhe diskutimet e tyre mbi vlerat dhe parimet kushtetuese, janë më së pakti hipokrite kur nuk vijnë haptazi nga interesa personale të lidhura me pushtetin.
Kërkesa për të zbatuar ligjin dhe procedurën në mënyrë të verbërt është një karakteristikë tipike e atyre regjimeve totalitare. Këto regjime vetë i hartonin ligjet, dhe më pas përbetoheshin se duheshin zbatuar me çdo kusht pasi pasojat, që do vinë do jenë kataklizmike, duke shpërfillur pasojat e menjëhershme të zbatimit të tyre.
Kur shkon të votosh, në Shqipëri të ngjyrosin gishtin e madh të dorës me një bojë, e cila nuk mund të hiqet, si një masë për të siguruar se i njëjti person nuk do votojë dy herë. Kur kam votuar në zgjedhjet e mëparshme, ka patur raste që shenja ka qëndruar për një muaj.
Këto zgjedhje, ajo shenjë në gishtin e madh të dorës do shërbejë si një njollë turpi për të gjithë ata, që pavarësisht mungesës së çdo ndikimi të pjesëmarrjes së tyre ne votime, do të tregojnë se u bënë pjesë e një farsë.
Nëse listat e atyre që kanë votuar emri shihet vetëm nga ata që do i përdorin ato për të shantazhuar vartësit për të votuar, njolla në gisht nuk është kështu, ajo do të mbetet dhe do shihet nga të gjithë.
Do të jetë aty sa herë do i japin dorën një të njohuri, i cili duke parë njollën, do e dijë se po takon një njeri, i cili në mos ka qënë i detyruar për të votuar, nuk e di se çfarë është demokracia dhe e drejta e votës.