Në 6 Maj të këtij viti, u mbushën 79 vjet nga dita e zhdukjes së Norbert Joklit.
I pari që për 30 vjetorin e vdekjes, mori guximin ti kushtojë një homazh në gjuhën shqipe, këtij personaliteti të madh, që për gjithë jetën iu përkushtua tërësisht ҫështjes së gjuhës shqipe, të cilën autoritetet austriake e shihnin si një forcë të madhe në funksion të unifikimit dhe konsolidimit të kombit shqiptar, ishte nxënësi i tij Eqrem Ҫabej.
Kush lexon qoftë edhe vetëm një herë homazhin e tij, të botuar në gazetën “Mësuesi” të 25 Tetorit të vitit 1972, do të mbetet me përshtypjen se figura e Joklit, edhe me përmasat e reduktuara me të cilat na e paraqet Ҫabej, nuk ka marrë ende vlerësimin e merituar nga shqiptarët, qofshin këta të letrave apo të politikës.
Ҫabej, në këtë homazh apo edhe në shkrime të tjera, nuk na ka përcjellë gjithë ҫ’ka ditur për aktivitetin e Joklit.
Sipas dokumentave arkivore austriake, Jokli nuk ka qënë vetëm një Professor Extraordinarius, në fushën e gjuhëve Indo-Europiane, i orientuar nga shqipja, gjuhët Baltike dhe ato Sllave, por nga vitin 1937 ai mbante edhe titullin Hofrat, një lloj këshilltari i fshehtë, titull që jepej vetëm personaliteteve me shërbime të veҫanta për shtetin.
Për motive politike të kohës të ndërthurura këto ndoshta edhe me motive personale, që lidhen me rrethanat e punës së tij si albanolog, Ҫabej nuk na e bën të ditur këtë fakt të rëndësishëm.
Ҫabej, nuk na e thotë, me gojën plot, se Norbert Jokli ishte albanologu më i madh i kohës, sikundër shprehet Lasgushi, të cilit Jokli i kishte mundësuar bursë studimi në Universitetin e Vjenës, apo edhe Profesor Karlo Taliavini, albanologu i shquar nga Universiteti i Padovës!
Vlerësimin personal për Joklin si albanolog, Ҫabej na e përcjell kur thotë se:“Ky është përfaqësuesi gjer tani i fundit në radhën Miklosich-Gustav Meyer-Pedersen-Jokl, një radhë dijetarësh, të cilët janë marrë me gjuhën shqipe drejtpërdrejt dhe vazhdimisht”, duke na lënë të nënkuptojmë se kësaj linje, që kishte nisur punën për një fjalor etimologjik të shqipes, që në kohën kur shqiptarët ishin nën sundimin otoman, por që ende nuk kishin arritur ta përfundonin, logjikisht do të duhej t’i bashkoheshin edhe studiues të tjerë për ta kurorëzuar atë.
Ndoshta, në kohën kur e ka shkruar homazhin, materialet që dispononte dhe puna e tij studimore, i kishin dhënë Ҫabejt sigurinë për ta pretenduar këtë kurorëzim.
Ҫabej, nuk na thotë se ishte pikërisht Jokli, personaliteti të cilin gjuhëtari dhe albanologu i shquar gjeman, Gustav Majer, por dhe albanologu hungarez, Baroni Ferenc Nopҫa, zgjodhën për t’i lënë trashëgimi punimet e tyre mbi fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe, me shpresën dhe besimin e plotë se me intelektin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, ai do të ishte personi që do të mund të finalizonte me sukses këtë vepër, që vetë Jokli kishte filluar ta konsideronte si qëllimin e jetës së tij.
Sot, ata që kanë lexuar për Joklin, e dinë se arkivi i tij personal me 3000 dokumenta, që ai i la trashëgimi për Bibliotekën Kombëtare Shqiptare, një dëshirë e tij kjo ende e paplotësuar, u konfiskua nga autoritetet gjermane në Prill të vitit 1942 dhe vetëm afërsisht 200 prej tyre i shpëtuan luftës dhe abuzimeve të tjera dhe sot ruhen në arkivat e Vjenës.
Ndër dokumentat e zhdukura të Joklit rezultojnë edhe dorëshkrimi i fjalorit etimologjik të shqipes, që i kishte dhuruar Gustav Majeri, si dhe dorëshkrimet e tij mbi fjalorin, të cilit ai i kishte përkushtuar të gjitha energjitë e 30 viteve pune kërkimore të pazakontë, të bërë nga një hebre skrupuloz si ai dhe për më tepër një vetmitar.
Pak e vështirë për ta besuar këtë zhdukje!
Një hebre, të cilit i ndërpriten të gjitha botimet apo ftesat për kumtesa në seminare dhe konferenca të organizuara nga institucionet shkencore gjermane, që në vitin 1932 me ardhjen në pushtet të Hitlerit!
Një hebre, të cilit mbas Anshlusit në Maj të vitit 1938, nuk i lejohet madje as hyrja në Fakultetin e Filozofisë, edhe mbas përpjekjeve të bëra pranë autoriteteve nga Dekani i tij, Viktor Kristian!
Një hebre, të cilit nuk i lejohet as të emigrojë nga Austria, për të punuar si Drejtor i Bibliotekës Kombëtare Shqiptare, ndoshta si një stacion tranzit për të vazhduar udhëtimin drejt Amerikës, edhe pas ndërhyrjes së Ministrit të Jashtëm të Duҫes, Kontit Ҫiano, pranë Ministrit të Jashtëm Gjerman, Fon Ribentrop!
Një hebre, pa trashëgimtarë biologjikë, që ndarjen nga librat e tij e konsideronte më të tmerrshme se ndarjen nga jeta, në një kohë kur edhe miqtë e tij e kanë kuptuar tashmë se Rajhu i Tretë po i kërcënohej me jetë!
Të mos e ketë menduar vallë, të gjejë një trashëgimtar që mund t’i besonte të paktën kryeveprën e tij, dhe kështu, shpirtërisht më i lehtësuar, t’i jepej fatit që i kishin përgatitur nazistët?!
Duket e pabesueshme.
Por a mund të ketë qënë ky shpëtimtar, nxënësi i tij i dikurshëm, Eqrem Ҫabej?!
Ҫabej, gëzonte gjithë simpatinë e Joklit, dhe nëpërmjet tij edhe të kolegëve të shquar si Paul Kreҫmer dhe Karl Poҫi, të cilët në vitin 1933 e kishin vlerësuar atë shkëlqyeshëm dhe nënshkruan diplomimin e tij me gradën doktor nga Universiteti i Vjenës.
Në vitin 1940 Ҫabej dërgohet për punë shkencore në Akademinë e Shkencave të Romës, nga Ministri i Arsimit Ernest Koliqi, i cili njihej personalisht me Joklin dhe me interesimin e Nolit, Fishtës dhe Konicës, mundësoi që qeveria e Mustafa Krujës t’i ofronte atij zyrtarisht punësim në Shqipëri, si Drejtor i Bibliotekës Kombëtare.
Në Romë, Ҫabej, që po punonte për Atlasin gjuhësor shqiptar, kishte arritur ndërkohë të evidentohej nga autoritetet si një person premtues, në atë nivel sa autoritet italiane, në vitin 1942 dhe më pas ato gjermane në vitin 1943, t’i propozonin atij dy herë postin e lartë të Ministrit të Arsimit në Shqipëri.
Të ketë qënë e gjitha kjo një rastësi?!
A mund të ishte Ҫabej, në rrethanat e krijuara gjatë kësaj kohe, personi që ka pasur dëshirën, nxitjen, arsyet dhe lehtësirat e nevojshme, për të realizuar shkëmbime të sigurta apo ndoshta edhe një takim fatlum lamtumire me Joklin?!
Ҫabej nuk na ndihmon që të gjejmë një përgjigje të këtyre pyetjeve.
Ajo që sot dimë me siguri është fakti se Ҫabej, në ndryshim nga shumë intelektualë të tjerë të formuar në Austri, i mbijetoi persekutimit komunist si “armiku i pushtetit popullor që me shkencë po i shërbente pushtetit”, duke botuar 7 vëllimet me Studime etimologjike në fushën e shqipes.
Për të shprehur mirënjohjen e tij më të thellë apo ndoshta si një lloj ndjese që nuk kishte mundur të ndajë gjithҫka dinte për Joklin, Ҫabej mbajti mbi kokë në shtratin e tij, deri ditën që mbylli sytë, një portret të Joklit që ai vetë ia kishte dhuruar.
Po a mund të ketë qënë portreti dhurata e vetme nga Jokli për të?!
Vetëm në vitin 2006, plot 26 vjet mbas vdekjes së Ҫabejt, na vjen lajmi se në arkivat e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë gjendet përkthimi që ai i kishte bërë veprës së Joklit, përkthimi që ҫuditërisht nuk mbante emrin e përkthyesit dhe që “gabimisht” ishte futur në një dosje me emër tjetër.
Si ka mbëritur vallë kjo vepër në duart e Ҫabejt?!
Ҫabej, nuk na e tha asnjëherë arsyen e plotë se përse dështuan të gjitha përpjekjet e bëra nga personalitetet e kohës në Austri, në Itali por edhe në Shqipëri, për ta shpëtuar Joklin, por ai mjaftohet të na thotë se:
“Albanalogu i madh mjerisht është zhdukur nga rrethi ynë. I përndjekur nga regjimi nazist për idetë e tij demokratike, ky, siç duket, u zhduk në maj të vitit 1942 prej këtij regjimi, në Vjenë, veçse hollësitë e vdekjes së tij nuk dihen. Me këtë dijetar albanistika humbet një përfaqësues të madh, atë që e pat zgjedhur studimin e shqipes për mision të jetës së tij. Përtej caqeve të dijes, edhe populli shqiptar humbet një burrë, i cili, duke rrahur me frymë objektive ravën shkencore, u bë njëkohësisht dhe indirekt një mbrojtës i të drejtave tona nacionale.”
Por, e vërteta është pak më ndryshe.
Sot është i njohur fakti se politika austriake para, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, konsiderohej nga Fyhreri si politikë tërësisht joluajale, karshi interesave gjermane, dhe si një nga shkaqet që ҫoi drejt shpartallimit të plotë të Rajhut të Dytë. Në Ballkan, Austria mbështeste me të gjitha mekanizmat e saj interesat kombëtare shqiptare.
Kësaj politike, Jokli i kishte vënë në shërbim dijet dhe kontaktet që ai kishte vendosur me shumë personalitete që kishin bërë karrierë në Shqipëri.
Ishte pikërisht kjo arsyeja, që mbas Anshlusit dhe mbas nënshkrimit të marrëveshjes së fshehtë bullgaro-gjermane, Hofrati Norbert Jokli, në vend që të nisej drejt Tiranës si Professor Extraordinarius, arrestohet nga Gestapo dhe niset drejt kampit nazist të vdekjes, në fshatin Trostenec i Vogël, afër Minskut.
Jokli nuk u përndoq nga nazistët vetëm për faktin që ishte një hebre, as për idetë e tij demokratike siҫ shkruan Ҫabej dhe as për veprën shkencore si albanolog.
Këtë fakt nuk na e thotë as Aleks Buda, ky nxënës i Joklit, që edhe pse nuk ja doli të diplomohej për letërsi në Universitetin e Vjenës, arriti që mbas Luftës së Dytë Botërore, si i besuar i Enver Hoxhës, të marrë përsipër të udhëheqë shkrimin e versionit të dytë të historisë së Shqipërisë, që në ndryshim nga versioni i Rilindjes, do duhej të ishte i pëlqyeshëm për politikën Ruse në Ballkan, politikë që zë fill që në shekullin XVII me Pjetrin e Madh dhe vazhdon e pandryshuar nga të gjithë sundimtarët e saj, sot e kësaj dite.
Kjo histori e re, nuk mud të vlerësonte Joklin ashtu siҫ e vlerësoi Mbreti Zog, i cili me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë, e priti në festimet e organizuara në Tiranë dhe e nderoi me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, urdhrin më të lartë të kohës.
Në Shqipërinë e sotme, vetëm Posta Shqiptare ka nderuar kujtimin e veprës së tij, me stampimin e një pulle postare në vitin 2012 dhe një rrugë e Tiranës, as 100 metra e gjatë, mban sot emrin “Norbert Jokli”. Sa pak!