Gjatë këtyre dy ditëve kam lexuar në rrjete sociale dhe dëgjuar në studio televizive një mendësi –nuk di ta quaj naive apo dashakeqe- që fajin për fitoren e PS dhe Edi Ramës, e gjejnë tek votuesit.
Pas 8 vitesh udhëheqje nga PS dhe Edi Rama, shumë po prisnin ndryshimin dhe ishin të frustruar, por papritur rezultati i zgjedhjeve i zhgënjeu.
Gjeja e parë që u vjen në mendje dhe që e nxjerrin nga goja -pa e analizuar më parë problemin- është: “populli-dele” “ky popull do vetëm komunizmin” dhe kategorizime të tjera cinike si këto.
Kjo lloj mendësie fajin e gjen tek një familje që shtyn muajin me 10 mijë lekë të reja asistence, tek fshatari që një herë në katër vjet i ofrohet diçka dhe nuk e ka luksin të mendojë për shitje të dinjitetit, tek familjet që me shumë vështirësi kanë gjetur një vend punë për fëmijën të ardhurat e të cilit ushqejnë të gjithë familjen.
Por si mund të akuzosh njerëzit e thjeshtë të cilët janë në këtë gjendje për shkak të kësaj politike 30 vjeçare?
Kjo kategori e kërkon fajin tek njerëzit e shtypur që se kanë luksin të “filozofojnë nga kolltuku i shtëpisë apo studioja televizive”,dhe të mendojnë për dinjitet kur nuk kanë bukë të hanë.
Ata nuk e shohin problemin tek ministrat e pasuruar që jetojnë në vila luksoze apo tek ata që shkojnë e ju blejnë votën këtyre.
Por përpara se sa të hedhim baltë mbi këta njerëz, duhet t’i drejtojmë disa pyetje vetes: Si arritëm deri këtu?
Si ka mundësi që shohim kudo njerëz të zhgënjyer nga qeverisja e Edi Ramës dhe kemi përballe fitoren e mandatit të tretë?
Së pari mendoj se fenomeni i vjedhjes së votave nuk ndodh vetëm ditën e zgjedhjeve dhe gjatë procesit të numërimit. Ai është një proces që zgjat, për të cilin PS ka pasur kohë ta shtrijë edhe me gjerë gjatë këtyre tetë viteve, në mungesë të një opozite në Parlament dhe e mbështetur nga njerëz të inkriminuar të cilët i sigurojnë blerjen dhe vjedhjen e votave.
Një pjesë tjetër e tjetërsimit të vullnetit të popullit pa dyshim që ka ndodhur gjatë procesit të numërimit. Një shenjë e dukshme janë votat e pavlefshme, të cilat në këndvështrimin tim nuk mendoj se janë thjesht vota nga mosdija apo analfabetizmi.
Së dyti kanë dalë video denoncuese ku shihen numëruesit partiakë që shpallin vota të pavlefshme, gjë që e vërteton edhe më tej se procesi i numërimit të votave ka pasur probleme serioze.
Së treti gjatë fushatës zgjedhore ka pasur raportime nga opozita dhe nga qytetarë për tentativa për blerje votash dhe manipulim të tyre. Rast domethes ishte arrestimi ne flagrance e nje zyrtari të Bashkisë së Dibrës ne blerje votash
Database i publikuar dy javë më parë që tregonte një sistem përgjimi të të dhënave është nje tjetër tregues i pushtetit të frikshëm të kësaj partie dhe praktikës së përhershme për të tjetërsuar vullnetin e popullit.
Nje mekanizem i cili nuk përdoret vetëm për të bindur votuesit të ndryshojne krah, por për të shantazhuar me forma të ndryshme, si vendi i punës etj.
Por problemi qëndron në hetimin dhe dënimin e fenomenit.
Së pari opozita ka treguar një dobësi në kete aspekt-dobësi dhe ne fusha të tjera çka po ashtu mund të kenë ndikuar në skepticizmin e qytetarëve se nga ajo mund te vijë ndryshimi.
Opozita i ka kaluar këto skandale të qeverisë thjesht me një deklaratë formale për mediat.
Së dyti organet e drejtësisë nuk kanë çuar prapa hekurave asnjë drejtues të lartë të PS për blerje votash dhe manipulim të zgjedhjeve, edhe pse faktet kane dalë dukshëm në zgjedhjet e 2017 nga gazeta gjermane BILD.
Rasti me i freskët është ai i “patronazhistëve”. SPAK kerkoi sekuestrimin e servarave të Lapsit-gjë që u rrëzua nga GJEDNJ pas kallëzimit nga Andi Bushati dhe Armand Shkullaku. Por SPAK nuk nisi asnjë hetim për PS, e cila më pas gjeti terren për ta kthyer në tallje publike përgjimin që u bën qytetarëve dhe vjedhjen e të dhënave, duke përdorur fjalën patronazhistë në çdo dalje, duke e normalizuar atë.
Përballë kesaj panorame nuk mendoj se duhet t’i drejtojmë gishtin kërcënues “popullit që qenka shitur për një copë bukë”.
Në Shqipëri është ndërtuar një sistem i tillë, ku për të fituar zgjedhjet duhet të jesh hajdut i mirë – në këtë aspekt Rama i ka fituar vërtetë zgjedhjet-.
Ajo qe duhet bërë është hetimi i procesit zgjedhor dhe i fenomenit të shitblerjes së votës deri në gjenezë. Si dhe rikonceptimi dhe riformulimi i administratës zgjedhore, ku në qendrat e votimit dhe nëpër KZAZ përfaqësuesit e çdo partie ta kenë të pamundur shkeljen. Procesi duhet t’i lihet elektronikës ose në mungesë të saj një trupi zyrtaresh civile apartiake ose vullnetarësh të trajnuar.
Deri atëherë, zgjedhjet e ardhshme do kenë po të njejtën fytyrë të shëmtuar, akuza për “masakër elektorale” dhe vota të tjetërsuara.