Komiteti i emergjencave i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka mbajtur qëndrim të enjten kundër kriterit të çertifikatës së vaksinimit kundër Covid-19 për udhëtimet ndërkombëtare.
Me rritjen e rasteve të infektimit në Evropë, mes vendeve po rindizet debati nëse duhet lejuar udhëtimi i personave të pa vaksinuar.
Ekspertët e pavarur shprehen se vaksinimet nuk duhet të jenë kusht për lejimin e udhëtimeve ndërkombëtare, duke pasur parasysh aksesin e kufizuar global dhe shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave, raporton Reuters.
Ekspertët e OBSH-së e vlerësuan kërkesën e provës së vaksinimit si thellim të pabarazive mes vendeve, pasi promovon pabarazi në lirinë e lëvizjes.
Ato që penalizohen janë vendet e varfëra, me më pak akses në vaksina.
OBSH ka advokuar vazhdimisht për një shpërndarje më të drejtë të vaksinave mes vendeve.
Në këtë kuadër, së bashku me Aleancën e Vaksinave Gavi, ka punuar me programin COVAX për të siguruar vaksina për vendet e varfra.