Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar sot (1 qershor) përdorimin emergjent të vaksinës së kompanisë kineze Sinovac kundër COVID-19.
Në një deklaratë, OBSH thotë se kjo vaksinë plotëson standardet ndërkombëtare për sigurinë, efikasitetin dhe prodhimin.
Vaksina e njohur me emrin CoronaVac tashmë mund të shpërndahet globalisht dhe të përdoret si pjesë e skemës Covax të OBSH-së për të siguruar vaksina kundër koronavirusit në vendet e varfëra.
Vaksina e Sinovac po përdoret edhe në Shqipëri në fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.
Në fund të marsit, qeveria njoftoi se kishte siguruar rreth 1 milionë vaksina Sinovac përmes një furnizuesi turk, kompanisë Keymen Ilac Sanayi Ve Ticaret A.S.
Kjo është vaksina e dytë kundër COVID-19 e një prodhuesi kinez që merr miratimin e OBSH-së, pas vaksinës së kompanisë kineze Sinopharm.