Doza e tretë e vaksinës kundër COVID-19 është një mënyrë për të mbrojtur njerëzit më të rrezikuar dhe jo një luks përmes të cilit i grabitet mundësia atyre që nuk kanë marrë ende një dozë të vetme, tha një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetit të hënën.
Komentet e kreut të OBSH-së në Evropë Hans Kluge dukej se ishin në kundërshtim me një deklaratë të OBSH-së në fillim të këtij muaji se të dhënat në dispozicion nuk sugjeronin nevojën për doza përforcuese.
Javën e kaluar, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Ghebreyesus tha se të dhënat për marrjen e një doze të tretë nuk ishin përfundimtare. Ai më parë kishte thënë se vendet nuk duhet t’i rekomandojnë ato dhe se duhet të përqëndrohen në shpërndarjen e dozave për kombet më të varfra.
Të hënën, Kluge tha në një konferencë shtypi se më shumë studime po tregonin se dozat e treta mbrojnë njerëzit e rrezikuar.
“Një dozë e tretë e vaksinës nuk është një përforcues luksi që i hiqet dikujt që është ende duke pritur për dozën e parë… Ajo është në thelb një mënyrë për t’i mbajtur më të rrezikuarit të sigurt.”, tha Kluge.
Megjithatë ai nënvizoi se ende duheshin më shumë prova dhe u bëri thirrje vendeve evropiane me vaksina të tepërta t’i ndajnë ato me shtetet e tjera, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Afrikën.
Rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 në të gjithë Evropën gjatë dy javëve të fundit, e kombinuar me nivele të ulëta të vaksinimit në disa vende, është “thellësisht shqetësuese”, shtoi ai.
Në përgjigje të komenteve të drejtorit të përgjithshëm të OBSH javën e kaluar, Pfizer dhe BioNTech thanë se një dozë e tretë e vaksinës së saj, nxit tre herë më shumë antitrupa kundër koronavirusit se doza e dytë.