
Pjesën më e vështirë të pandemisë së Covid-19 mund të mos e kemi kaluar ende. Kështu paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), gjashtë muaj pas fillimit të shpërthimit të Covid-19.
Në një deklaratë për shtyp mbrëmjen e 29 qershorit, kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh:
“Ne të gjithë duam që kjo të përfundojë. Të gjithë duam të vazhdojmë me jetën tone si më parë. Por realiteti i vështirë është se nuk jemi afër fundit. Megjithëse shumë vende kanë bërë përparime, globalisht pandemia po shpërhapet me shpejtësi.”
Ai theksoi se rruga më e mirë për të luftuar Covid-19 është “testim, gjurmim, izolim dhe karantinë”.
Virusi po prek tani Azinë e Jugut dhe Afrikën, ku kulmi pritet të arrihet në fund të korrikut.
Ndërsa Hans Kluge, drejtori i OBSH-së për Europën, tha se vaksina mund të vonojë dhe mund të mos jetë shkopi magjik që presim të gjithë:
“Të gjithë mendojnë se vaksina është ilaçi i vetëm kundër Covid. Para së gjithash ne nuk e dimë nëse një vaksinë do të funksionojë në të gjitha grupmoshat dhe askush nuk e di kur do të jetë e gatshme.”
Ai theksoi se për momentin larja e duarve dhe ruajtja e distancës fizike është mjeti më efektiv kundër virusit.
Aktualisht më shumë se 505 mijë persona me Covid-19 kanë humbur jetën në gjithë botën, ndërsa numri i të infektuarve ka arritur në 10,3 milionë.