Opozita e bashkuar do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht nëse do ketë apo jo ndryshime të draftit të reformës zgjedhore, dakordësuar në 5 qershor, i cili pritet të miratohet në kuvend.
Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi të mërkurën, në ABC News, se opozita do të marrë pjesë në zgjedhje sepse qytetarët po kërkojnë ndryshimin, pavarësisht të gjithë manovrave të kryeministrit Rama:
“Në zgjedhje do të futemi dhe do të fitojmë, jo se na e ka qejfi dhe dëshira ne, por ka një unison dhe urrejtje për këtë [Ramën] nga të gjithë shqiptarët dhe së fundmi, ka një ndriçim nga ndërkombëtarët. Sido që të shkojë ne do të futemi në zgjedhje, pasi ne e kemi një kod zgjedhor.”
Duke folur për kërkesat e opozitës në parlament dhe deklaratat e Ramës se në zgjedhjet e ardhshme mund të mos lejohen më koalicionet parazgjedhore, Alibeaj tha se Rama përpiqet të gjejë gjithnjë mënyra se si të vjedhë dhe dëmtojë zgjedhjet:
“Me 30 korrik ai [Rama] voton ndryshimet kushtetuese, rrit pragun me 5 për qind heq dhe koalicionet [parazgjedhore], por nëse e bën këtë duhet që të ndryshojë dhe kodin zgjedhor, pasi duhet të heqë nenet që kanë të bëjnë me koalicionet. Ne do të futemi [në zgjedhje] dhe do të fitojmë.
Ajo që ndryshon është se nëse ndodh një gjë e tillë për të krijuar një tjetër mënyrë për të vjedhur dhe për të dëmtuar zgjedhjet që nuk është me heqjen e koalicioneve ajo që [Rama] do të përdorë janë paratë, krimi, bandat që i ka përdorur gjithmonë.”
Një ditë më parë, Kryeministri Rama ka lënë të hapur mundësinë për kalimin me lista të hapura dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, kërkesa këto të opozitës në parlament.