Kur opozita gjendet përballë një dështimi, siç ishte rezultati për Bashkinë e Dibrës, debati i brendshëm nuk ia dobëson pozitat apo t’ia ulë reputacionin. Përkundrazi, çdo zhvillim i ri, i brendshëm është një shtysë për të përmirësuar atë ç’ka shkoi keq jo vetëm në zgjedhjet për një bashki, por në përgjithësi në aktivitetin e përditshëm të saj. Në këtë këndvështrim, edhe debatet e bëra brenda grupit parlamentar të PD nuk janë asgjë më shumë se grindje njerëzish të pakënaqur më shumë me PD se me Qeverinë.
Nëse çdo gazetar apo media mund të kritikojë hapur rolin e një opozite të dobët, si ajo që po shohim këto kohë në Shqipëri, dikush i angazhuar brenda kësaj opozite dhe që është votuar pikërisht për këtë mision nuk mund të mjaftohet me disa fjali të thëna në një mbledhje ku përgjegjësia është e shpërndarë thuajse njësoj tek te gjithë. Nëse në mbledhjen e grupit parlamentar të PD ka kontestime për mënyrën e drejtimit, mosmarrëveshje për emrat e kandidatëve apo dhe për çdo nisëm të opozitës, është e pashpjegueshme që kjo bëhet kur procesi mbyllet. Deputetët demokratë nuk janë gazetarë që pasi shohin se si zhvillohet dhe përfundon procesi dalin me konkluzionet përkatëse dhe kërkojnë llogari sikur jetojnë në një planet tjetër.
Deputetët e opozitës janë pjesë integrale e një misioni (që duket ende larg realizimit) të bërjes se opozitës në një vend ku më shumë se çdo gjë mund të shkruash dhe flasësh për dështime reformash. Por kjo nuk ndodh, sepse në parlament deputetët demokratë e harrojnë misionin e tyre dhe kapen pas batutash pa vlerë. Fjalimet e tyre me përjashtime të rralla nuk i dëgjojnë as vetë kolegët e grupit. Por kjo është e keqja më e vogël, përballë protagonizmit që disa të tjerë përpiqen të marrin duke bërë kritizerin…jo të qeverisë, por të opozitës. Nëse të paktën njëherë të vetme këta kritikë të drejtimit të PD-së të kishin mbajtur të njëjtin qëndrim për ndonjë zullum të qeverisë, kjo dhe mund të justifikohej. Por jo, ata janë elegantë në qëndrimin me Edi Ramën dhe të ashpër me PD. Arsyet mund t’i dinë vetëm ata, edhe pse në një botë të vogël si politika shqiptare, edhe interesat janë po aq të vogla dhe po aq shpejt merren vesh. Të jesh kritik, të ngresh zërin apo te debatosh me deputetët e grupit është pa dyshim një vlerë e munguar e PD. Por që për momentin nuk përbën më lajm. Sepse zërat kritikë janë po aq ose në mos më pak të besueshëm se vetë zëri i PD.
Në realitetin shqiptar ku për çdo dite ke rast të bësh një opozitë brilante kjo nuk ndodh. Sepse vetë opozita është treguar deri më tani e pazonja për të çuar deri në fund një aksion politik. Qoftë në parlament në rrugë apo në zgjedhje. Dikush duhet të shkundë PD-në nga pluhuri i të vjetërve që nuk e kanë të qartë se çfarë roli kanë në atë parti, por dhe nga mendja e mykur e “të rinjve” që deri më tani kanë prodhuar opozitë qesharake. Dhe pa dyshim këtë proces duhet ta bëjnë vetë demokratët me burime që nuk i mungojnë dhe mbështetjen që ende gëzojnë tek një pjesë e qytetarëve. Duke qenë të vërtetë me ata që besojnë tek vlerat e kësaj partie dhe jo me ata që kritikën e shohin si mjet për t’u bërë lajm në portale. Dhe në rastin më të keq mund të përfundojnë si opozita e emëruar e Shqipërisë.