Opozita hungareze arriti të fitojë në zgjedhjet lokale të së dielës Bashkinë e Budapestit. Partia Fidesz e Kryeministri Viktor Orban pësoi humbjen më të madhe politike të dhjetëvjeçarit të fundit.
Gergely Karacsony, 44-vjeçar, i cilësuar si liberal, triumfoi përballë kandidaturës së mbështetur nga Orban, Istvan Tarlos, 71-vjeçar.
Karacsony u votua me 55 për qind të votave ndërsa Tarlos me 44 për qind. Ky i fundit thuhet se i telefonoi Karacsony-it për t’i uruar atij fitoren.
Fitorja e opozitës në Budapest në zgjedhjet lokale vjen pasi shumë parti të opozitës – liberalët, të gjelbrit dhe konservatorët – u bënë bashkë duke lënë menjëanë kundërshtitë dhe duke mbështetur kandidatura të njëjta për të gjitha qytetet e Hungarisë.
Rezultati e inkurajon opozitën e bashkuar për t’u angazhuar edhe më shumë për zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në vitin 2022.
Në mandatin e tij të dytë si Kryeministër, Orban ka dominuar totalisht politikën e Hungarisë me propagandën populiste kundër migracionit.
Parlamenti Evropian e ka akuzuar shpesh Kryeministrin hungarez për “vendosjen në mëdyshje të vlerave evropiane dhe përhapjen e ndasive me liderët e tjerë të unionit”.
Pasi siguroi fitoren, Karacsony tha për qytetarët e Budapestit se “tani qyteti do të jetë i gjelbër dhe i lirë për t’iu rikthyer Evropës”.
Përveç Budapestit, opozita fitoi gjithashtu në qytete si Miskolc, Szeged apo Eger. Sidoqoftë Orban e pa situatën në favor teksa në mitingun post-zgjedhor tha se “partia e tij kishte fituar shumicën e qyteteve të Hungarisë”.
Procesi zgjedhor u shoqërua me kontestime në Hungari. Opozita ngriti pretendimet se qe përgjuar në mbledhjet e saj, ndërkohë që partia në pushtet shpërndau ushqime falas të shoqëruara me fletushka me slogane politike. Akuza pati edhe për blerje vote përmes transportimt të disa hungarezëve nga Ukraina me autobusë.
Ndërkohë që partia e Orban nuk ka komentuar rreth akuzave, ajo gjithmonë ka mbajtur qëndrimin se nuk përzihet në praktika të tilla të jashtligjshme.