Partitë opozitare jashtë parlamentit kanë dënuar bashkarisht miratimin në komisionin e ligjeve të propozimit për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore dhe ndryshimin e sistemit, të kërkuar nga opozita parlamentare.
Përmes një deklarate të përbashkët koalicioni opozitar jashtëparlamentar e sheh këtë votim si prishje të marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik në 5 maj.
Partitë opozitare kujtojnë se në demokracinë shqiptare nuk ka ndodhur të ndryshohet ligji zgjedhor pa miratimin e të gjitha palëve që do të marrin pjesë në zgjedhje.
“Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane.” – përfundon deklarata e koalicionit opozitar jashtëparlamentar.