Opozita në Maqedoninë e Veriut ka protestuar, të martën, kundër kryeministrit Zoran Zaev pasi sipas saj, ai është duke shitur interesat kombëtare.
Protesta ka bërë që të bllokohet trafiku për dy orë në Shkup.
Protestat janë vendosur para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe qeverisë, nën sloganin “Për shpëtimin e së ardhmes maqedonase dhe për të ardhmen e popullit maqedonas”.
Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski u shpreh gjatë protestës së populli duhet të mësojë të vërtetën:
“Populli duhet të dijë të vërtetën, partia më e madhe e opozitës duhet të dijë të vërtetën se për çfarë po bisedohet me Bullgarinë.”
Mickovski u shpreh se VMRO DPMNE nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Bullgarinë, në rast se dëmtohen interesat kombëtare.
Deputeti Antonio Milloshoski, ish ministër i Jashtëm kërkoi që Zaev të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Po ashtu ai tha se edhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov duhet të japin dorëheqjen, pasi kanë bërë negociata të fshehta me Bullgarinë:
“Ata nuk kanë të drejtë të luajnë me të rënët, kujtimet dhe të kaluarën, me dhimbjen dhe me vlerat tona për çlirimin e Maqedonisë dhe Evropës. Ata duhet sa më parë që të japin dorëheqje.”
Lidhja Social Demokrate(LSDM) e kryeministrit Zaev ka reaguar ndaj protestës dhe ka thënë se VRMO DPMNE punon për shërbime të huaja.
Përfaqësuesi LSDM-së Stefan Vases deklaroi se Miskoski paraqet rrezik për shtetin dhe qytetarët. Sipas tij VMRO DPMNE bllokon proceset në vend dhe luftën kundër Covid-19.
“Mickoski dhe VMRO-DPMNE vazhdimisht bllokojnë proceset në vend, po bllokojnë luftën kundër koronavirusit, po bllokojnë punën e Kuvendit, po bllokojnë përparimin drejt NATO-s, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Shumica e qytetarëve i dhanë mbështetje të madhe progresit dhe të ardhmes. Republika e Maqedonisë së Veriut po lëviz përpara drejt një të ardhme progresive dhe drejt realizimit të angazhimeve strategjike”, tha ai.
Mosmarrëveshjet mes qeverisë dhe opozitës bëri që Bullgaria të ndalonte nisjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së veriut në BE.
Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së ishin menduar të hapeshin në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare te BE, në 10 nëntor, por Sofja e kundërshtoi. Bullgaria kërkoi nga Maqedonia e Veriut një marrëveshje paraprake mbi prejardhjen e identitetit dhe të gjuhës maqedonase.