Kryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kërkoi shkurtimin e fushatës zgjedhore në 10 ditë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, Abdixhiku e justifikoi kërkesën e tij bazuar në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve për shkak të Covid-19.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e mbështeti propozimin duke kërkuar shkurtimin në pesë ditë.
“Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10”, tha Haradinaj, në një postim në Facebook.
Ndërkohë pritte reagimi i kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Javëve të fundit, Kosova ka regjistruar numër të madh të rasteve të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirusi.
Vetëm gjatë të mërkurës, në vend janë regjistruar 22 raste të vdekjes dhe 1.894 raste me COVID-19.