Qeveria shqiptare duhet t’i japë përparësi mbrojtjes së mjedisit të çmuar të Shqipërisë nga hidrocentralet dhe kompanitë e naftës si Shell.
Kjo, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Riverëatch, EcoAlbania, Patagonia dhe EuroNatur një ditë pas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme, në të cilat Partia Socialiste fitoi një mandat të tretë.
Ulrich Eichelmann nga Riverwatch tha:
“Qeveria e re duhet t’i japë përparësi mbrojtjes së mjedisit të çmuar të Shqipërisë, duke filluar me Vjosën. Pa mbrojtje të përshtatshme, zona do të ‘hahet’ nga zgjerimi i pakontrolluar i vendpushimeve turistike në rajonin delta, digat në mes dhe shpimet e naftës në pjesën e sipërme të lumit. Kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë këtë luftë derisa Vjosa të caktohet si një park kombëtar. ”
Aktualisht lumi Vjosa është nën kërcënim nga hidrocentralet, aeroporti i propozuar i Vlorës dhe kërkimi dhe shpimi i naftës nga kompania Shell.
Një kontratë 25-vjeçare me vlerë 40 milion€ u nënshkrua në 2018.
Të hënën në Permet, më shumë se 100 banorë protestuan kundër Shell dhe kërkimit të naftës në zonë, duke deklaruar se turizmi është e ardhmja e tyre.
Sipas tyre Përmeti nuk është në shitje dhe Shell nuk është i mirëpritur.
Deklarata vëren se, si rezultat i fushatës, qeveria e Kryeministrit Edi Rama ka rënë dakord të bëjë një pjesë të Vjosës “park natyror” dhe t’i japë asaj “status të mbrojtur“.
Por ndryshe nga sa pretendohet, kjo në fakt nuk e mbron atë nga digat, kërkimet e naftës, aeroportet dhe vendbanimet turistike.
Emërtimi “Park natyror” nga kryeministri Rama, gjithashtu përjashton përrenjtë dhe degët që çojnë në lumin kryesor.
“Për të mbrojtur plotësisht lumin dhe për të përdorur potencialin e tij për ekoturizmin, qeveria duhet ta mbrojë atë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare duke e shpallur si Park Kombëtar i Lumit të Egër, i pari në Evropë“.
Olsi Nika nga EcoAlbania shtoi: “Teksa titujt “park natyror “dhe “park kombëtar” tingëllojnë shumë të ngjashëm, ata nuk mund të jenë më të ndryshëm për sa i përket nivelit të mbrojtjes që ofrojnë. Vetëm një park kombëtar mund ta mbrojë plotësisht dhe ligjërisht këtë ekosistem të bukur nga ndërtimet në të ardhmen. “
Organizatat i kanë kërkuar qeverisë të ndërmarrë hapa për të përmirësuar masat e mbrojtjes përgjatë Vjosës.
Ato përfshijnë:
- ngritjes në kategorinë e mbrojtjes, nga park natyror në park kombëtar;
- zgjerimin e zonës së mbrojtur për të përfshirë edhe degët e Zagorisë, Kardhiqit, Bënçës dhe Shushicës.
Organizatat dolën në përfundimin se “shtetasit shqiptarë, shkencëtarët kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe organizatat mjedisore janë të gatshëm të ndihmojnë Shqipërinë për të mbrojtur këtë thesar kombëtar dhe të mbështesin qeverinë e re për ta bërë këtë një realitet“.