Paligjshmëria dhe arbitrariteti i Zotit Veliaj dhe pamendtë e mia

Nga Neritan Sejamini
Paligjshmëria dhe arbitrariteti i Zotit Veliaj dhe pamendtë e mia

Propaganda qeveritare, hiletë politike, përpjekjet për manipulim, përpjekjet për shpërqëndrim, qëndrimet e elitës së zakonshme analistike, qëndrimet e “profetëve” të zakonshëm të drejtësisë, shembujt e pafund (dhe të rremë) me Hollandë e Gjermani, mentaliteti komunist që ngriti krye sërish, duket se e kanë larguar opinionin publik nga thelbi i çështjes së ndërtimit të këndit të lojrave në parkun e liqenit të Tiranës.

Por, përtej opinioneve dhe pëlqimeve personale, kjo çështje duhet parë ashtu siç është, nën dritën e fakteve dhe realitetit.

Së pari dhe mbi të gjitha, ajo është dhe duhet parë si çështje e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës. Fakti i thjeshtë është që ndërtimi është i paligjshëm, për arsyet e mëposhtme:

  • Nuk ka një master plan të miratuar për zhvillimin e parkut. Një plan i tillë është hartuar, por nuk është miratuar, ende. Nga ana tjetër, plani aktual i Tiranës, i hartuar nga Bashkia Basha—i cili edhe pse i denoncuar ashpër nga Kryebashkiaku Veliaj nuk është shfuqizuar asnjëherë—nuk parashikon ndërtim këndi lojrash në vendin ku po planifikohet.
  • Nuk ka një leje të vlefshme ndërtimi. Këshilli Kombëtar i Territorit ka lëshuar një leje me kusht, e cila shprehet se dokumenti i lejes do të jepet vetëm mbasi të plotësohen dokumentet ligjore-teknike, përfshi studimin e ndikimit në mjedis dhe lejen mjedisore, lejen arkeologjike, etj.
  • Edhe sikur, në ditët e ardhshme, të jepet leja ajo do jetë e paligjshme, pasi për projektin nuk është bërë dëgjesë publike, sikurse e kërkon legjislacioni ynë, përfshi Konventën e Aarhusit, palë e së cilës është Shqipëria dhe e cila ka preçedencë edhe mbi Kushtetutën tonë. Duhet theksuar se dëgjesa publike ka një proçedurë të përcaktuar me ligj se si duhet zhvilluar dhe nuk ka lidhje me deklarimet në këmbë para kamerave.

Së dyti, është çështje e kufizimit të pushtetit. Kryetari Veliaj nuk e ka pushtetin ligjor të vendosë për parkun e lojrave —as vetëm, as së bashku me Kryeministrin apo me këdo zyrtar tjetër. Ligjërisht, politikisht, demokratikisht ai është i detyruar të përfshijë publikun në vendim-marrje—duke e informuar dhe marrë mendimin e tij në të gjitha fazat e hartimit të projektit. Praktikisht, Zoti Veliaj ka kapërxyer kompetencat e tij, duke vepruar në mënyrë arbitrare dhe autokratike.

Së treti, është çështje e metodës dhe proçedurës së hartimit të politikave publike. Vendimi për këndin e lojrave është marrë në mënyrë mediokre dhe amatore. Bashkia nuk e ka marrë vendimin në kuadrin e një politike apo programi për përmirësimin apo zgjidhjen e problemit të argëtimit apo angazhimit fizik të fëmijëve; gjë që do kërkonte identifikimin dhe analizmin e situatës aktuale, vlerësimin e nevojave, vlerësimin e alternativave për zgjidhjen e problemit, dhe hartimin, mbi këtë bazë, të një programi apo politike përkatëse. Kjo është qasja më elementare në politikëbërje dhe vendimmarrje publike.

Në fakt, Bashkia Tiranë nuk ka asnjë program, asnjë politikë, as edhe ndonjë koncept minimal për problemin e argëtimit të fëmijëve, përfshi mjediset sportive dhe argëtuese. Duhet të kishte, por nuk ka. E vetmja politikë që ka Bashkia është “politika Rama”: nëse ka ndonjë fushë apo shesh, zëre me ndërtim, në bashkëpunim me “ekspertët”, që janë përherë firmat e zakonshme klienteliste të Zotit Rama.

Së katërti, është çështje e përgjegjësisë politike. Para 6 muajsh qytetarët e votuan në shumicë Zotin Veliaj në bazë të premtimit që nuk do ndërtohej në parkun e liqenit. Por pa mbushur një muaj në detyrë, në mënyrë tinzare në kombinim me Kryeministrin Rama, Zoti Veliaj dha leje për ndërtimin 13 katësh në hyrje të parkut tek Fakulteti Ekonomik; dy muaj më pas tentoi të ndërtonte në krah të Korpusit të Universitetit Politeknik; ndërsa tani ka vendosur të ndërtojë kënd lojrash për fëmijë, të konceptuar si projekt urban që do të betonizojë pjesën më të rëndësishme të parkut të liqenit.

Së pesti, është çështje e hipokrizisë politike. Mbasi zaptoi çdo fushë e shesh me ndërtime dhe struktura betoni —përfshi këndin e lojrave të rrugës së Elbasanit, fushën e stadiumit Selman Stërmasi, aneksin e stadiumit Qemal Stafa, lulishten para PD-së, gjithë zonën e Komunës së Parisit, etj — Zoti Rama po na rishfaqet si njeri i ndjeshëm dhe i shqetësuar se ku do luajnë fëmijët. Dhe si për çdo gjë tjetër, ai ka vetëm një zgjidhje: ose në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ose në Parkun e Liqenit— edhe pse, tashmë, Tirana, nën administrimin e ri, shtrihet nga kufiri me Elbasanin në kufi me Vorën dhe ofron shumë mundësi për të ndërtuar parqe e qendra argëtuese për fëmijë.

Së gjashti, ditët e fundit, kjo çështje është bërë çështje e etikës dhe moralit qytetar të udhëheqësve tanë. Pas reagimit të qytetarëve, zotërinjtë Rama dhe Veliaj, në mënyrë skandaloze, i sulmuan kundërshtarët e projektit të tyre me metodën komuniste të perbaltjes dhe goditjes në karakter dhe integritet. Fillimisht, Bashkia e Tiranës në një komunikatë zyrtare i quajti “vandalë” kundërshtarët, ndërsa më Zoti Veliaj kaloi çdo limit teksa nga Londra, ku nuk dihet se pse ka shkuar i paguar nga taksat tona, deklaroi se ata që e kundërshtojnë “ose nuk kanë fëmijë ose nuk kanë mend.”

Duke qënë se unë jam kundërshtar i projektit dhe duke qënë se kam fëmijë, Kryebashkiaku im më konsideron vandal dhe njeri pa mend.

Dikur, si aktivist i MJAFT, Zoti Veliaj i mbushi mendjen popullit se caktimi i Xhoana Nanos ceremonialisht Zonjë e Parë—meqë Presidenti Moisiu ishte i vé—ishte çështje e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe, për këtë qëllim, organizoi një protestë të madhe publike.

Për të kuptuar si mund të jetë e dobishme dhe legjitime të protestosh për rolin ceremonial të Xhoanës, por e ulët dhe armiqësore të protestosh për prerjen e drurëve dhe betonizimin e parkut të vetëm të Tiranës, duhen patjetër më shumë mend se mendtë e mia.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>