Pantallona dhe Kushtetutë—dhurata e Krishtlindjes nga studentët për Kryeministrin

Pantallona dhe Kushtetutë—dhurata e Krishtlindjes nga studentët për Kryeministrin

Për Krishtlindje studentët që protestojnë kundër politikave arsimore të qeverisë, i kanë bërë Kryeministrit Rama dy dhurata simbolike: Kushtetutën e Shqipërisë dhe një palë pantallona.

Domethënia e veprimit të studentëve është e qartë: ata kërkojnë shtet të së drejtës dhe qeverisje serioze. Teksa i lanë dhuratat para hyrjes së zyrës së Kryeministrit, një nga studentët pohoi:

“I kemi bërë dhuratë në palë pantallona që të paktën një herë në këto vite të bëhet serioz, të bëhet kryeministër. Dhe ç’është më kryesorja të lexojë Kushtetutën.”

“Do të donim t’i blinim edhe atlete,” u shpreh një tjetër “por nuk kishim para,”—duke konstrastuar kështu gjendjen e tyre të mjeruar me luksin kryeministror.

Ndërsa protesta studentore po kthehet gradualisht në një lëvizje për mirëqeverisje dhe shtet të së drejtës, studentët për ditë e më shumë po shënjestrojnë mënyrën amatoreske dhe të papërgjegjshme me të cilën Kryeministri Rama drejton qeverinë.

Mbi të gjitha ata po diskteditojnë propagandën e qeverisë, e cila e kishte veshur Zotin Rama me mantelin e një udhëheqësi modern e të veçantë, duke e portretizuar atë, në të vërtetë, si njeri qesharak dhe të padenjë për kryeministër.

Veprimi i sotëm i studentëve protestues është një tjetër rast kur ata shkëlqejnë dhe e mundin Kryeministrin me të vetmin mjet me të cilin ai qeveris: propagandën. Ndërsa Kryeministri është kujdesur shpesh të veshë në aktivitete publike brekushe dhe atlete, për t’u dukur i veçantë dhe interesant, studentët e paimpresionuar i kanë treguar se brekushet janë banalitet e jo modernitet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>