Papa Francesku i kërkoi popullit italian të kenë besim dhe t’i qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në këto momente të vështira.
Përmes një video-mesazhi, Papa tha se lutjet e tij shkojnë për të prekurit me koronavirus, ata që humbën jetën dhe familjet e tyre dhe për të gjithë stafin mjekësor që po lufton çdo ditë:
“Lutja dhe mendimet tona shkojnë kryesisht për të sëmurët por edhe për ‘heronjtë e përditshëm’, mjekët dhe stafin mjekësor që po luftojnë. Lutemi edhe për ata që tani janë në gjendje të vështirë ekonomike dhe janë të shqetësuar për punën dhe të ardhmen, për të pastrehët, për të burgosurit.
Në këto ditë mendoj shpesh për njerëzit e vetmuar, që e kanë më të vështirë të përballen me koronavirusin në këto momente. Mbi të gjitha mendoj për të moshuarit, të cilët i kam shumë përzemër.”
Papa i kërkoi italianëve por dhe gjithë botës, të bashkohet në lutje dhe të shpresojë, veçanërisht në vigjilje të Javës së Shenjtë të Pashkëve, e cila fillon të dielën:
“Ne do ta kremtojmë Javën e Shenjtë në një mënyrë shumë të pazakontë, në heshtjen e qyteteve tona, Ungjilli i Pashkëve do të tingëllojë.
Në Jezusin e ringjallur, jeta ka pushtuar vdekjen. Ky besim i Pashkëve ushqen shpresën tonë. Është shpresa për një kohe më të mirë,për tu çliruar nga kjo kjo pandemi. Nuk është një iluzion, është shpresë.”