Delegacioni i deputetevë holandezë që vizituan Shqipërinë më 6-7 maj ka publikuar raportin me gjetjet e tyre për përparimin e vendit në pesë prioritetet kyçe të vëna nga Bashkimi Europian. Në raport theksohet mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe e hetimeve e dënimeve ndaj zyrtarëve të lartë. Ndërsa, për dorëzimin i mandateve nga deputetët e opozitës dhe krizën e brendshme të vendit, deputetët u shprehën se nuk mund të bëjnë asnjë koment.
Pikat kryesore të raportit të deputetëve holandezë janë këto:
Shqipëria po bën përparime serioze në reformën gjyqësore. Komisoni ka dhënë më shumë se 140 vendime dhe në 40 përqindë e rasteve, zyrtarët janë shkarkuar.
Sa i përket Gjykatës Kushtetuese aktualisht ekziston vetëm një gjyqtar në detyrë, dhe nëntë vende të tjera janë të lira. Prandaj, nuk mund të konsiderohet aktualisht si një institucion shtetëror funksional. Qeveria argumenton se kjo është për shkak të suksesit të procesit të verifikimit, ndërsa kritikët e qeverisë flasin për një krizë kushtetuese, në të cilën kontrollet dhe balancat janë zhdukur pasi qeveria ka marrë pushtetin e Gjykatës Kushtetuese.
Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, numri i ndjekjeve dhe dënimeve penale të nivelit të lartë ka qenë zhgënjyes. Bashkëpunimi mes policisë dhe Prokurorisë publike nuk është gjithmonë i qetë.
Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, vlen të përmendet se Shqipëria ka arritur rezultate në zbulimin dhe shkatërrimin e fermave të kanabisit dhe ndjekjen penale të pronarëve të tyre.
Shqipëria ka bërë përparim në lidhje me lirinë e shprehjes, por duhet të rrisë transparencën e reklamave shtetërore në media.
Shqipëria ka ende hapësirë për përmirësime të mëtejshme në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, duke përfshirë regjistrimin e pasurive të paluajtshme në një regjistër toke.