Parlamenti ukrainas miratoi dje ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve, në rast të kryerjes së krimeve. Pro ligjit votuan 373 nga 450 deputetët e parlamentit ukrainas, ndërsa 28 nuk ishin të pranishëm dhe 3 abstenuan.
Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski tha se ligji do të lehtësonte luftë e qeverisë së tij ndaj korrupsionit të sistemit të vjetër politik. Ai siguroi se deputetët do të mbeten të mbrojtur në aktivitetin e tyre politik.
Zelenski, një ish-aktor 41-vjeçar, fitoi zgjedhjet presidenciale më 21 prill 2019 me premtimin se do të shembte sistemin e vjetër politik të zhytur në korrupsion.
Imuniteti i deputetëve është shqyrtuar edhe në parlamentin shqiptar.
Komisioni i Ligjeve miratoi në shkurt të 2019, vetëm me votat e shumicës socialiste, ndryshimet e reja në rregulloren e Kuvendit, që përforcojnë imunitetin e deputetëve.
Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, i japin deputetëve dhe ministrave imunitet nga arresti për çdo vepër penale, sado serioze të jetë ajo.
Sipas ndryshimeve, imuniteti i deputetëve apo ministrave nuk mund të hiqet vetën në bazë të provave apo dyshimeve të arsyeshme të prokurorisë, dhe më pas ata të hetohen dhe të përballen me drejtësinë si njerëz të zakonshëm.
Ndërkohë në korrik të 2019 shumica socialiste u tërhoq nga propozimi i miratuar në komisionin e ligjeve disa muaj më parë.