Partia në pushtet në Hungari, Fidesz është tërhequr nga Partitë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, pasi grupi konservator miratoi rregulla të reja të brendshme.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban njoftoi për këtë vendim, përmes një letre dërguar kryetarit të Grupit parlamentar të EPP-së, Manfred Weber, letër të cilën e postoi në Twitter një nga ministrat e tij.
Ky vendim vjen një ditë pasi EPP-ja ndryshoi rregullat e saja të brendshme, për të lejuar që të përjashtohen partitë politike dhe jo vetëm anëtarët e një partie – një ndryshim ky që u pa si një mundësi për të përjashtuar partinë Fidesz nga grupi më i madh parlamentar në Parlamentin Evropian.
“Ndryshimet në rregullat e grupit të EPP-së, qartësisht janë një veprim armiqësor ndaj Fidesz dhe votuesve tanë… Kjo është anti-demokratike, e padrejtë dhe e papranueshme”, ka shkruar Orban në letrën drejtuar Weberit.
Ndwrsa në faqjen Twitter të Fidesz, njoftimi u shoqërua me komentin “Vendimi #demokratik i afro 2 milion votuesve që mbështetën #Fidesz duhet të respektohet plotësisht në të gjitha rrethanat dhe për këtë arsye, të drejtat e përfaqësuesve të tyre në asnjë mënyrë nuk mund të kufizohen ose privohen.”
Grupi i EPP-së, ku bëjnë pjesë edhe konservatorët e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka pasur grindje të vazhdueshme me Fideszin për vite me radhë.
Fidesz, parti e krahut të djathtë, ka dy të tretat e deputetëve në Parlamentin hungarez dhe është në pushtet që nga viti 2010. Kjo parti që prej vitit 2018 është suspenduar nga EPP-ja, por kishte ende ligjvënës në këtë grup parlamentar.
Për një kohë të gjatë, BE-ja e ka akuzuar Orbanin se po minon liritë demokratike, mediat dhe organizatat joqeveritare si dhe sundimin e ligjit.