Derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana mund të luhet në Stadiumin Kombëtar. Klubi i Partizanit i ka paraqitur kërkesë Federatës Shqiptare të Futbollit që ndeshja të zhvillohet në stadiumin e ri.
Top-Channel raportoi se pranë FSHF-së është paraqitur kërkesë zyrtare nga kampionët e Shqipërisë dhe është e para nga një skuadër nga Superliga për të zhvilluar ndeshje në stadiumin e ri.
Kërkesa është për ndeshjen e derbit kundër Tiranës, e cila sipas kalendarit është më 5 dhjetor. Klubi i zotëruar nga biznesmeni Gazmend Demi kërkon të kapitalizojë më shumë të ardhura duke qenë se vitet e fundit përballjet me Tiranën kanë tërhequr shumë sportdashës në stadium.
Nuk dihet ende se sa do të jetë kostoja e qiradhënies nga FSHF-ja, apo më saktësisht Qendra Sportive Kuqezi që vepron si kompani më vete. Mes gazetarëve sportiv përflitet për një shumë rreth 20 mijë euro, ndërkohë që në të shkuarën për Qemal Stafën, Partizani paguante 5 milionë lekë të vjetra.
Problemet me stadiumin
Çështja e stadiumit për Partizanin u bë problem pas shembjes së Qemal Stafës në vitin 2016. Klubi u detyrua të luajë në Kompleksin Sportiv në Kamëz dhe madje edhe në stadiumin e Tiranës, Selman Stërmasi. Vendimi i Bashkisë Tiranë për t’i lejuar Partizanit të luante atje u prit keq nga tifozët e Tiranës, pasi ai u mor pa u marrë parasysh pëlqimi i tifozëve.
Vlen të thuhet se pas shembjes së Qemal Stafës, FK Partizani u shpërblye nga qeveria me 37 mijë metra katrorë tokë në verilindje të Tiranës. Toka e ish-Repartit Ushtarak Nr.4030 në Tufinë iu dha Partizanit për 20 vjet për 1 euro me detyrimin që klubi të investonte së paku 1,6 milionë euro (200 milionë lekë) për zhvillimin e një kompleksi sportiv.
Premtimet për stadium
Rreth 4 vite më vonë Partizani nuk ka ende stadium. Projekti fillestar i klubit ishte që të ndërtonte një kompleks me stadium rreth 5,000 vendesh, hotel dhe qendër stërvitore me kosto totale rreth 5 milionë euro, por punimet janë ndërprerë dhe rinisur disa herë duke mos u përmbyllur ende.
Premtimet nga Presidenti Demi kanë qenë që stadiumi të jetë gati sezonin e ardhshëm, por kjo vështirë të ndodhë.