
Një javë pasi Ministria e Drejtësisë pranoi se qeveria nuk kishte nisur asnjë procedurë për zgjedhjen e gjykatësit për Gjykatën e Strasburgut, qeveria ka njoftuar se pret deri më 16 prill kandidaturat.
Qeveria më pas duhet të përzgjedhë tre kandidatë për pozicionin e gjyqtarit shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ). Tre kandidatët intervistohen më pas nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për Zgjedhjen e Gjykatësve në GJEDNJ.
Që prej vitit 2016, Qeveria Rama ka propozuar dy lista me nga tre kandidatë, të cilat janë hedhur poshtë nga PACE.
Lista e parë, e hedhur poshtë më 6 tetor 2016, përbëhej nga Sokol Berberi, Gent Ibrahimi dhe Ina Rama.
Përpjekja e dytë nga qeveria shqiptare për të propozuar kandidatët u bë më 14 mars 2017. Qeveria propozoi Aurela Anastasin, Sokol Berberin dhe Aleksandër Muskajn. Të tre kandidaturat u hodhën poshtë nga PACE më 6 prill 2017.
Ndërkohë afati i fundit për përpjekjen e tretë të qeverisë për të propozuar 3 emra, ishte 31 gusht 2017, një afat që u humb nga qeveria.
Momentalisht në GJEDNJ si përfaqësues i Shqipërisë vazhdon të qëndrojë gjyqtari Ledi Bianku, mandati i të cilit ka përfunduar zyrtarisht më 1 shkurt 2017.
Shqipëria është rasti i parë në historinë e Gjykatës së Strasburgut që një vend dështon të zgjedhë gjykatësin e tij në Gjykatën e Strasburgut edhe pas tre raundesh.
Gjykata e Strasburgut është gjykata më e lartë për vendet anëtare të këshillit të Europës, përfshi Shqipërinë, e cila merr në gjykim çështjet që kanë shteruar të gjitha shkallët e gjykimit të vendeve anëtare.