Pas 8 vitesh shtrëngime, Greqia del nga plani i ndihmës ekonomike të BE-së

Pas 8 vitesh shtrëngime, Greqia del nga plani i ndihmës ekonomike të BE-së

Greqia ka mbyllur sot zyrtarisht programin 8-vjeçar të ndihmës ekonomike nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kjo do të thotë se Greqia nuk do të varet më nga ndihma ekonomike e BE-së dhe se pas tetë vjetësh, tani ajo është e lirë të huazojë para në tregjet financiare ndërkombëtare.

Programi i ndihmës financiare për Greqinë, i ndarë në tre këste, filloi në vitin 2010 dhe zgjati përmes katër qeverive, si një masë për të shpëtuar vendin nga falimenti. Në total, nga vendet e BE-së dhe FMN, Greqia ka përfituar më shumë se 260 miliardë euro ndihmë (të ndarë në tre këste), ndihma më e madhe e dhënë ndonjëherë ndaj një shteti të vetëm.

Megjithëse ndihma evropiane përfundoi zyrtarisht, masat shtrënguese të imponuara nga kriza financiare në Greqi dhe kufizimet e buxhetit do të vazhdojnë edhe për disa vite.

Gjatë këtyre viteve, Greqia do të vazhdojë të mbikëqyret nga vendet e BE-së, pra kreditorët, për ecurinë e reformave strukturore dhe ekonomike.

Si një ndihmë e fundit ndaj Greqisë, parlamenti gjerman miratoi në qershor një paketë të lehtësimit të borxheve  duke shtyrë  afatet e ripagimit të borxhit me dhjetë vjet. Këto lehtësime mbulojnë rreth 96 miliardë euro kredi të shpëtimit të cilat duhej të shlyheshin në vitin 2023, por tani do të shlyhen në vitin 2033.

Sipas kreut të Bankës Qëndrore greke, Yanni Stournaras, Greqia ka ende punë të madhe për të bërë deri sa të rimëkëmbë totalisht ekonominë. Reformat, megjithëse të cilësuara si shumë të ashpra e të padrejta nga njerëzit, sipas Stournarasit, futën në rrugën e zgjidhjes disa probleme të rënda si borxhin e lartë publik, papunësinë e lartë dhe kreditë e këqija.

Ekonomia e Greqisë pritet të rritet me 2 për qind këtë vit. Greqia humbi rreth një të katërtën e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) nga viti 2008 deri në vitin 2018, ndërsa gjysma milion njerëz u larguan nga vendi, i cili përjetoi një nga recesionet më të këqija në historinë moderne.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>