Pas disa viteve polemikave, Princesha Japoneze Mako do të martohet këtë muaj, duke hequr dorë nga ritet tradicionale dhe nga pagesa e zakonshme që u jepet grave të familjes mbretërore kur martohen me njerëz të zakonshëm.
“Princesha Mako do të martohet më 26 tetor,” i tha AFP-së një zyrtar i Agjencisë Perandorake të Familjes, duke shtuar se “ceremonia martesore, banketi i pritjes dhe ritualet e tjera nuk do të mbahen dhe një pagesë e njëhershme nuk do të kryhet.”
Princesha Mako, e cila është mbesa e Perandorit Naruhito u fejur me të dashurin e saj Kei Komuro në vitin 2017.
Por lidhja e tyre u kritikua nga media, aq sa princesha 29-vjeçare njoftoi se po vuante nga çrregullime komplekse të stresit post-traumatik.
Sipas rregullave të trashëgimisë perandorake të Japonisë Mako do të humbasë titullin e saj pas martesës. Princi i Kurorës Akishino vitin e kaluar tha se ai mbështeste martesën e vajzës së tij, por se ajo kishte nevojë për të fituar “mirëkuptimin” e publikut.
Mako do të bëhet princesha e parë që heq dorë nga ritet tradicionale të martesës dhe pagesa prej 1.3 milion dollarë.
Ajo është motra e Princit Hisahito, 15 vjeç, aktualisht i vetmi trashëgimtar mashkull i fronit, përveç babait të tij.
Froni i Krizantemës në Japoni mund t’i kalojë vetëm anëtarëve meshkuj të familjes, dhe fëmijët e grave mbretërore që martohen jashtë aristokracisë nuk përfshihen.
Rregullat e rrepta kanë rritur frikën për të ardhmen e familjes mbretërore, me vetëm dy trashëgimtarë meshkuj dhe asnjë perspektivë për trashëgimtarë të rinj në vitet në vazhdim.
Përpjekjet për të debatuar mbi reformën e trashëgimisë janë ndeshur me kundërshtime të forta nga tradicionalistët.