Në Shqipëri do të ndërtohet një qendër për koordinimin e luftëtarëve të ISIS që kthehen në territorin e Ballkanit.
Lajmi u bë i ditur dje, jo nga qeveria, por nga Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, gjatë një konference kundër Ekstramizmit të Dhunshëm, zhvilluar në Tiranë me mbështetjen e Mbretit të Jordanisë.
“Në Shqipëri do të bëhet një qendër koordinimi për luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit”, u shpreh Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur dje bashkë me Kryeministrin Rama.
Kryeministri bullgar shtoi se “propozova që çdo njëri prej shteteve të dërgojë një oficer për lidhjet që të jetë më e organizuar lufta e përbashkët”.
Kjo nuk do të jetë e vetmja qendër me në fokus terrorizmin në Shqipëri.
Në maj 2017, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi se do të ngrihet qendra e Ekselencës me qëllim të studimit të fenomenit të Luftëtarëve të Huaj në Shqipëri.
Ideja për hapjen e një qendre studimore është përfolur dhe më parë.
Në artikullin e botuar në Balkaninsight në qershor, 2016, të gazetares Fatjona Mejdini, citohet koloneli Bardhyl Kollcaku, drejtor i Agjencisë së Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë, AISM, i cili shprehet se “Shqipëria e ka ndërmarrë këtë nisëm pasi pa boshllëkun e këtij fenomeni në NATO”.
Koloneli Kollcaku sqaroi se fenomeni ka ekzistuar prej dekadash përpara se të zhvillohej në nivelin e arritur gjatë këtyre viteve.
“Ne kemi eksperiencën e duhur për të kontribuar në njohuri, studim, dhe adresim të luftës ndaj fenomenit të luftëtarëve të huaj.
Pozita gjeografike e Shqipërisë si pjesë e Ballkanit Perëndimor e ka kthyer atë në vend origjin të luftëtarëve të huaj dhe ne jemi zotuar të ndajmë mësimet dhe eksperiencën tonë.”
Përveç luftëtarëve të ISIS që pritet të koordinohen së shpejti, në Shqipëri po strehohen dhe rreth tre mijë muxhahedinë iranianë, anëtarë të opozitës së Iranit, që më parë mbaheshin në një kamp ushtarak amerikan në Irak. Për ta është ndërtuar një rezidencë 4-katëshe në Babrru me një vlerë rreth 950 mijë euro.