Pas largimit të përfaqësuesve të opozitës së bashkuar, dhe deputetët e ‘opozitës parlamentare’ u larguan nga bisedimet për reformën zgjedhore që nisën sot me ndihmën e OSBE-së.
Deputeti Adriatik Alimadhi i kërkoi deputetëve të tjerë që të largoheshin nga tryeza meqë u largua dhe përfaqësuesi i PD-së.
Deputetja Rudina Hajdari fillimisht tentoi të bindte kolegët e saj për të mos u larguar nga bisedimet duke thënë se “kjo është anija e fundit për zgjidhjen e krizës.”
“Po ta braktisim këtë tryezë do të sillemi si PD dhe do ta thellojmë krizën”, u shpreh Rudina Hajdari.
Pavarësisht këmbënguljes së Hajdarit dhe përfaqësuesit të OSBE-së Bernd Borchardt për të qetësuar deputetët, ata vendosën të largohen nga salla.
Rudina Hajdari është bashkëkryetare e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore bashkë me Damian Gjiknurin nga shumica socialiste.
Aktualisht në tryezë kanë mbetur vetëm përfaqësuesit e OSBE-së dhe përfaqësuesit e shumicës socialiste.
Përfaqësuesit e PD, LSI dhe opozitës së bashkuar u larguan nga salla menjëherë pasi bënë të ditur qëndrimin e opozitës se nuk e njohin Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, për sa kohë në të ka individë që duhet të ishin dënuar për krime elektorale.