Kryetari i Bindjes Demokratike Astrit Patozi deklaroi sot se deputetët e opozitës parlamentare të cilët do të votojnë kundër Reformës Zgjedhore të miratuar në Këshillin Politik janë ‘më të mirë’ se ata që miratuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke përfshirë dhe vetë Patozin.
Në një shkrim në Facebook, Patozi shkruan:
“Çdo deputet i opozitës parlamentare, që do të votojë kundër marrëveshjes së pisët të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore “Ta lëmë kënetën, siç ishte”, është, në çdo rast, më i mirë se ne, që miratuam ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke filluar nga unë i pari.”
Opozita parlamentare është shprehur se nuk do të votojë asnjë reformë të bërë në Këshillin Politik që nuk merr parasysh kërkesat e tyre: listë të hapur kandidatësh për deputet, votimin e emigrantëve dhe administrimin apolitik të zgjedhjeve.