Vendet anëtare të NATO-s kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes, pavarësisht situatës së vështirë ekonomike që e ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Viti 2020 ka qenë viti i gjashtë me rradhë i rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes nga ana e të gjithë aleatëve“, tha Stoltenberg në një konferencë për media të martën në Bruksel.
“Ne presim që ky trend të vazhdojë këtë vit. Është thelbësore të mbahet ky ritëm pasi sfidat e sigurisë nuk janë zhdukur“, ka shtuar ai.
Shpenzimet e përgjithshme ushtarake nga 30 anëtarët e aleancës arritën në 1.028 trilionë dollarë vitin e kaluar, tha raporti i publikuar nga NATO-ja. SHBA ende siguron pjesën më të madhe të shpenzimeve të NATO-s.
Vendet evropiane janë përballur me presion nga Uashingtoni për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes në pragun e përcaktuar, dy për qind të bruto prodhimit të brendshëm.
Ky tavan u vendos më 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar anëtarët kryesorë të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, për kontribut jo të mjaftueshëm.
Presidenti i ri i SHBA-së, Joe Biden, po mban një retorikë më diplomatike duke bërë thirrje për përmirësim të marrëdhënieve trans-atlantike.
Megjithatë, administrata e tij pritet të vazhdojë presionin në mënyrë që të detyrojë vendet evropiane të paguajnë më shumë.
Raporti i NATO-s tha se vitin e kaluar 11 nga 30 anëtarët e aleancës arritën objektivin prej dy për qind, nga nëntë sa ishin në raportin e vitit 2019.