Partia Demokratike e ka konsideruar “rezultat të manipuluar” rezultatin e nxjerrë deri në mesditë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për votimet e 30 qershorit.
Pas raportimeve ku shumë tabela përfundimtare të numërimit të kutive rezultonin të kishin më shumë vota se sa votues, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso bëri një dalje për mediat.
Kaso u shpreh se qeveria i manipuloi zgjedhjet megjithëse zhvilloi një proces pa opozitën. Ai tha se PD e denoncoi edhe gjatë 30 qershorit përpjekjen sipas tij të KQZ-ës për të manipuluar.
Siç denoncoi dje Partia Demokratike, për shkak të refuzimit plebishitar nga shqiptarët, kandidatët e Edi Ramës kanë mbushur kutitë e votimit kudo në Shqipëri. Në votimet moniste të Ramës dalin më shumë vota në kuti sesa ishte pjesëmarrja zyrtare e deklaruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, edhe ky nën kontrollin e Edi Ramës dhe që manipuloi gjatë gjithë ditës pjesëmarrjen e votuesve.
Sipas PD “kutitë janë mbushur dhe numri i votave është shtuar në të paktën 6 bashki, në të cilat ka mbaruar numërimi”. Sipas demokratëve qëllimi i socialistëve për të fryrë pjesëmarrjen dhe për të manipuluar rezultatin e votimeve është “arritja me çdo kusht e votave të vitit 2017”.
Deri në mesditë u raportuan së paku 11 Bashki në të cilat numri i fletëve të votimit i gjetur në kuti ishte më i madh se sa pjesëmarrësit e deklaruar nga KQZ në zgjedhje, por PD u ndal në vetëm 6 prej tyre Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Lushnjë, Malësi e Madhe, Bulqizë e Divjakë. Nga rezultatet e raportuara, tërhoqi më së shumti vëmendjen rezultati në Urën Vajgurore ku fituesja Juliana Memaj kishte 1 766 vota më shumë se sa votuesit.
Kaso e mbylli daljen për mediat duke ripërsëritur qëndrimin e PD-ës se “30 qershori provoi se me Edi Ramën Shqipëria nuk ka asnjë shans të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme”.