Partia Demokratike akuzoi qeverinë se ka lënë në harrëse qytetarët në periferi të Tiranës.
Përfaqësuesja e PD, Jorida Tabaku takoi të premten banorët e Zallherrit, të cilët pohuan se qeveria nuk ka bërë asnjë investim gjatë këtyre 8 viteve.
“Është pa vënë dorë nga 2013-a e deri më sot. Këtu kalojnë tre tubacione që furnizojnë Tiranën me ujë të pijshëm dhe Zallheri nuk ka ujë të pijshëm. Është një zonë krejt e harruar dhe e lënë pas dore.”, u shpreh një banor.
Tabaku shtoi se qeveria nuk ka një plan të për zhvillimin e kësaj zone duke pohuar se banorët jetojnë me paratë e emigracionit.
“Këtu ku duhej të ishte një nga zonat më të mëdha në Tiranë, këtu kalojnë vetëm makinat e gurores. Këtu vetëm i shfrytëzojnë pasuritë natyrore, socialistët, pa pasur asnjë model zhvillimi. Është fatkeqësi që të jetë një zonë me kaq prodhime bujqësore, të mos ketë një subvencion për bujqësinë.
Fshatarët nuk nxjerrin në treg produktet e tyre, sot janë duke mbijetuar me çfarë vjen nga emigracioni, ndërkohë që kjo duhej të ishte një nga zonat që duhej të kishte prioritet zhvillimin për qytetin e Tiranës”
Tabaku pohoi se mbas 25 prillit shqiptarët do të kenë një qeveri të përgjegjshme.