Partia Demokratike akuzoi qeverinë se nuk ka marrë asnjë masë mbështetëse për biznesin gjatë kohës së pandemisë e tani po i zhvat para për të mbushur arkën e shtetit.
Në një deklaratë zyrtare, ish deputeti i PD-së, Ervin Salianji pohoi se qeveria e Ramës është armike e biznesit.
“Armiku i vërtetë i biznesit është Edi Rama, njeriu që pasi ka zbrazur arkën e shtetit nga babëzia për të vjedhur taksat e shqiptarëve me koncesione dhe PPP., i është vërsulur bizneseve vendase. Ka lëshuar armatën e taksidarëve që kanë nisur terrorizimin e biznesit vendas, veçanërisht prodhues.
Kjo vjen pasi biznesi dhe të punësuarit në të nuk u ndihmuan nga qeveria përgjatë gjithë pandemisë, madje u përjashtuan nga paketat ndihmëse duke u mohuar atyre të përfitojnë nga paketa e ndihmës qeveritare. Pasi i shmanget përgjegjësisë karshi biznesit dhe qytetarit, në kohë pandemie, i kërkon bizneseve me përdhunë të paguajnë për keqmanaxhimin e tij. I kërkon tatimorëve të sillen barbarisht ndaj bizneseve dhe sipërmarrjeve”
Salianji shton se PD po merr me dhjetra denoncime nga biznese prodhuese, qe faktojnë represionin e inspektoriateve ndaj tyre.
Ai përfundon deklaratën duke pohuar se gjatë qeverisjes së PD do të përgjigjen te gjithë ata që po “vendosin lakun në fyt gjithnjë e më shumë shqiptarëve.”