Partia Demokratike akuzoi të mërkurën kryeministrin Rama se ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve për të marrë në punë militantë socialistë, teksa ka lënë në varfëri qytetarët gjatë pandemisë.
Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së, ish-deputetja Dhurata Çupi tha se që nga 2017-ta, Edi Rama ka paguar 147 milionë euro për punësimet elektorale të militantëve, duke e kthyer administratën ‘në një degë të partisë në pushtet’.
Çupi tha se Rama ka punësuar në shtet me kontrata të përkohshme mbi 13 mijë persona që nga viti 2017 më një kosto prej 55 milionë eruo. Ndërsa në pushtetin lokal, janë punësuar 8100 persona shtesë nga bashkitë dhe janë paguar 92 milionë euro të tjera në 2 vjet.
Opozita akuzoi Ramën se po vjedh paratë e qytetarëve, teksa i ka lënë në varfëri dhe harresë në një kohë të vështirë si ajo e pandemisë:
“Janë 147 milionë euro të cilat kanë shkuar për paga partiake dhe elektorale. Janë më shumë para sesa Edi Rama dha për përballimin e pandemisë me paketat e tij gjysmake.
Këto janë fakte se ne nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur dhe kemi mbetur vend më i varfër në Europë.”