Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për shkelje të ligjit gjatë procesit të rindërtimit.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa deklaroi se Veliaj ka rindërtuar banesën e një personi i cili zotëron disa shtëpi. Ajo shtoi se ligji ndalon rindërtimin e banesave të atyre që kanë më shumë se një pronë.
“Pak javë më parë, vetë Erion Veliaj ishte këtu për të inauguruar nisjen e rindërtimit. E ka bërë këtë, edhe pse e di se ligji ia ndalon këtë, kur një person I dëmtuar ka më shumë se 1 banesë në pronësi.
Ligji e ndalon që bashkia të paguajë për rindërtimin e banesave të atyre që kanë më shumë se një pronë, por Erion Veliaj e ka shkelur këtë ligj për interesa personal partiakë.
Dokumentat provojnë se Erion Veliaj po rindërton një godinë njëkatëshe për dikë që ka edhe një një shtëpi 3 katëshe, po këtu pranë, një apartament në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë dhe dy prona të tjera në truall. “
Zhupa shtoi se Veliaj po shpërdoron detyrën dhe po lë njerëzit në çadra.
“Qytetarët janë ngopur me gënjeshtrat, mashtrimet dhe propagandën e tyre. Qytetarët duan ndryshimin, duan të trajtohen të gjithë njësoj para ligjit. Këtë ndryshim do ta bëjë të mundur vetëm Partia Demokratike.”, përfundoi ajo