Partia Demokratike akuzoi, të martën, ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka se ka përdorur për fushatë elektorale helikopterin e ministrisë.
Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi, në një deklaratë për median, u shpreh se Olta Xhaçka ka përdorur privatisht helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për fushatën e PS-së, për të udhëtuar nga Tirana në Dibër ku ajo është emëruar drejtuese e qarkut Dibër për PS-në:
“Punët perosnale partiake i kushtojnë shtrenjtë shqiptarëve. Udhëtimi me helikopter vajtje-ardhje nga Tirana në Peshkopi, kushton 10’mijë euro.
Për të bërë fushatën e Partisë Socialiste, ajo ka futur duart në xhepin e secilit prej jush për të udhëtuar me helikopter nga Tirana në Peshkopi për disa takime partie.”
Ish-deputetja Vokshi theksoi se veprimet abuzuese të qeverisë Rama vijnë dhe në momente të vështira për të gjithë shqiptarët, në mesin e një pandemie:
“Për qytetarët është e papranueshme që në mesin e kësaj krize të dyfishtë, ekonomike dhe shëmdetësore, Minisitrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka të harxhojë 10 mijë euro për të shkuar më Peshkopi me helikopter për fushatë elektorale.
Askush nuk mund ta pranojë që Olta Xhaçka të shpenzojë 10 mijë euro për një udhëtim privat me helikopter, kur më spitale njerëzit vuajnë për të gjetur një shtrat.”
Vokshi i kërkoi ministres Xhaçka që të japë sa më parë dorëheqjen dhe tu kërkojë falje qytetarëve:
“Olta Xhaçka nuk mund ta kalojë në heshtje këtë skandal, që në botën demokratike ka kushtuar karrige ministrash dhe kryeministrash. Një person politik, me një grimcë ndërgjegje, nuk mund të heshtë. Akti i fundit që Olta Xhaçka duhet të bëjë sot është firmosja e dorëheqjes pasi t’u ketë kërkuar falje shqiptarëve.”