PD dhe LSI i kanë kërkuar OSBE/ODIHR të japë mendim nëse koalicionet zgjedhore — ku secila parti garon më vetë dhe me listën e vet të pavarur të kandidatëve, sipas ndryshimeve të 30 korrikut — janë në përputhje me standartet ndërkombëtare dhe nëse lejojnë zbatimin e listave të hapura.
Në një letër dërguar të martën OSBE-së, opozita shkruan:
“A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve?
A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR”, i drejtohet PD dhe LSI, OSBE-së, në një letër me 5 pyetje, të bërë èublike, të martën (22 shtator).
Në letrën dërguar OSBE/ODIHR, PD dhe LSI kërkon, gjithashtu, të dijë nëse:
“A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?
A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve?”.
Ata i kërkojnë OSBE-së të sugjerojë një zgjidhje në rast të mos dakordësisë mes palëve:
“Në kushtet e mosdakordësisë, cila është një zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje demokratike?”
Publikimi i kërkesave erdhi pasi PS nuk pranoi të mbledhë Këshillin Politik pa pasur një propozim konkret nga PD dhe LSI.
Ndërsa përfaqësuesi i PD-së Bylykbashi e bëri të qartë të hënën në darkë, se partitë jashtëparlamentare nuk do të dorëzonin një draft të ri për koalicionet zgjedhore dhe listat e hapura, pasi ihsin dakord me ligjin ekzistues.